Ministrat e Bashkimit Evropian pritet që të mbështesin pezullimin e një marrëveshjeje të vitit 2007 me Moskën, që i jep trajtim preferencial kërkesave të rusëve për viza.
Lajmi është bërë i ditur nga Financial Times, duke cituar zyrtarë të Bashkimit Evropian të përfshirë në bisedime.
Disa vende kanë kërkuar veprime kolektive për të ndaluar rusët që të udhëtojnë në BE me viza turistike, teksa unioni përpiqet të ndëshkojë Moskën për pushtimin e Ukrainës duke ruajtur unitetin midis 27 anëtarëve të saj.
“Është e papërshtatshme që turistët rusë të bredhin nëpër qytetet tona, në portet tona. Ne duhet të dërgojmë një sinjal te populli rus se lufta nuk është në rregull, nuk është e pranueshme”, tha një zyrtar i lartë i BE-së, i përfshirë në bisedime.
Pjesë të marrëveshjes për lehtësimin e vizave të vitit 2007 me Moskën që lidhen me lëvizjen e lirë të zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve, janë pezulluar pak kohë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Republika Çeke dhe Polonia ndaluan lëshimin e vizave për turistët rusë pak kohë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Këto dy shtete kanë kërkuar që BE-ja të prezantojë një ndalesë të plotë, diçka që edhe presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, ka kërkuar nga blloku evropian.
g.kosovari