Ish Presidenti Bamir Topi, njëherësh kreu i FRPD-së tha se edhe një prokuror i rëndomtë do të mund të çonte prapa hekurave Ish kryeministrin Berisha, nëse drejtësia do të funksiononte. Faja është për vrasjet e 21 janarit, që sipas Topit janë përgjegjësi e Berishës. Topi ka dhënë një intervistë për emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, nga ku ka thënë po ashtu edhe arsyen se përse marëdhënia mes tij dhe Berishës u copëtua, pas ngjarjeve të 21 janarit.
“Të gjitha ato akuza nxjerrin sot Sali Berishën njeriun më të akuzuar përpara drejtësisë. Qoftë edhe një prokuror i rëndomtë, pa patur ndonjë përvojë, duke paraqitur faktet nga ana e tij në sens kronologjik, do të shihnin mjaft kontradiksione që për profesionin e tyre konsiderohet fajtor”, u shpreh Topi.
Kryetari i FRD-së kujton se krisja e tij me Berishën ndodhi për shkak të termave të një deklarate gjatë konferencës për shtyp, mesditën e 21 janarit.
“Në datën 21 janar, unë kam dalë me një deklaratë në drekë dhe mesa duket ajo deklaratë e ka shqetësuar shumë z.Berisha, sepse fola për “ngjarje në bulevard” dhe mesa duket atij i interesonte që të flisja për ngjarje në Kryeministri”, tha ai.
Topi theksoi edhe njëherë tjetër skepticizmin e tij për reformën në sistemin e drejtësisë, duke u shprehur se aktorët e saj janë protagonistët e 21 janarit 2011.
“Dhe gjëja akoma më e rëndë është që, ngritja e komisionit hetimor, është i vetmi komision që u shty disa herë dhe e përfundoi punën e vet pa raport. Pjesa kryesore e këtyre, sot janë protagonistët e reformës në sistemin e drejtësisë.
T’i marrim me radhë, qoftë edhe ai që ka dalë nga radhët e Partisë Demokratike, Ilir Rusmali. U mor si ekspert i qeverisë. Ky është një paradoks dhe çudi e madhe. Enkelejd Alibeajn e ke atje. Eduard Halimin e ke atje.
Kush na jep ne garanci se do të kemi një reformim real të sistemit të drejtësisë, kur njerëz që kanë suportuar padrejtësitë e një pushteti që vrau 4 njerëz në bulevardin e Tiranës, janë sot njerëzit që do të japin opinione sesi do të jetë drejtësia nesër”, tha Topi.