Nga Dritan Hila
Arben Kraja ka mbaruar studimet për ekonomi. Shkollën e mesme e ka mbaruar natën, për shkak të kushteve ekonomike. Në vitin ‘88 hetuesia filloi të merrte studentë që kishin mbaruar ekonomi, inxhinieri apo agronomi, për t’i specializuar në profilet përkatëse. Pas një kursi nëntë mujor dilnin në punë. Kështu që hetuesi i komunizmit Kraja, ka punuar për komunizmin vetëm një vit, atëherë kur komunizmit i kishin rënë brekët.
Më vonë ka mbaruar edhe juridikun dhe ka punuar prokuror, nënkryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, në sektorin anti-korrupsion në kryeministri dhe pastaj gjithmonë në prokurori. Asnjëherë nuk është përmendur apo cituar për korrupsion, për më tepër në një vend ku bëjnë priftin me barrë.
Ka ca kohë që gjithë gjynahet e këtyre 32 viteve, ne prisnim t’i zgjidhte Arben Kraja në 2 vjet. E akuzojmë pse nuk del më shumë në media a thua se është showgirl. I kërkojmë llogari pse nguron kur përmendet Sali Berisha, ndërkohë që pak burra, as sa gishtat e njërës dorë i kanë dalë përballë njeriut që ka kapur për fyti vendin prej tri dekadash. Harrojmë që kjo klasë politike në gjithë këto vite ka mbijetuar për shkak të korrupsionit tonë moral, fëlligështisë sonë shtetformuese dhe mefshtësisë tonë morale, çka duket edhe në faktin që betejat e 32 viteve, presim t’i bëjë Arben Kraja në një vit.
Ne harrojmë se SPAK u kompletua me BKH vetëm para një viti, periudhë që është e pamjaftueshme për të bërë procese në themel. Harruam se Kraja është vetëm administrator i SPAK kurse iniciativën e hetimit e kanë prokurorët. Harrojmë se SPAK është përballë klasës politike shqiptare, kësaj strukture kriminale më të kompletuar dhe strukturuar të këtyre 32 viteve të cilët kanë vrarë dhe vjedhur më shumë se çdo mafie tjetër në botë.
Të kësaj mafieje që ka nën urdhra prokurorë, gjykatës, policë, gazetarë, dhe deri trollsa interneti. Harrojmë se këta prokurorët pas 9 viteve do jenë pa mandat dhe mund të ndodhen pre e hakmarrjes së këtyre njerëzve që po hetojnë, të cilët kanë treguar se e kanë memorien e gjatë.
Mbase Arben Kraja dhe prokurorët e tij mund të bënin më shumë. Mbase! Por më mirë nga pak e më ngadalë por t’i shohim pas hekurave të akuzuarit e mëdhenj të 32 viteve, sesa t’i çojnë në procese shkel e shko dhe një ditë të na tundin para hundës certifikatën e pafajësisë.
Mos harrojmë se Kraja dhe prokurorët e tij punojnë në një ambient toksik dhe të korruptuar moralisht i cili është i prirur të bëhet palë me banditët dhe jo me ligjin. Përndryshe askush nuk do të kishte guximin, sikur Ilir Meta pati, ta sulmonte publikisht shefin e SPAK. Nëse Ilir Meta do të ishte në SHBA dhe do të kishte guximin të sulmonte me këtë fjalor Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA, brenda 24 orësh do t’i kishte parë kokrrat e tij në frulator. Mirëpo jemi në Shqipëri dhe e kemi më kollaj të shajmë ata që nuk marrin hak. Nëmni Ilir Metën dhe Sali Berishën kaq sa po nëmni Krajën, pastaj keni të drejtë morale t’i kërkojmë llogari SPAK-ut.