Yuri Zorin, babai i rusit Mikhail Zorin, të riut të arrestuar në Shqipëri për spiunazh, i tha Tv Klan në një komunikim në WhatsApp se është duke u munduar të punësojë një avokat privat për djalin e tij. Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse avokati që ai do të punësojë do të jetë shqiptarë apo rus, por e konsideroi këtë një çështje shumë të rëndësishme.
Zoti Zorin shtoi se vetëm pasi të ketë punësuar avokatin do mendojë të vijë edhe vetë në Shqipëri për të takuar djalin e tij.
Në seancën e zhvilluar të mërkurën në Gjykatën e Elbasanit, 24-vjeçari Mikhail Zorin, u mbrojt nga një avokat i caktuar nga shteti shqiptar.
Ai akuzohet se në bashkëpunim me Svetlava Timofeeva dhe Fedir Alpatov kanë mbërritur në Shqipëri me detyra të përcaktuara nga shërbimet sekrete ruse, për njohje territori, duke fotografuar objekte ushtarake dhe infrastrukturën kritike më vendin tonë.
Në dëshminë paraprake Zorin mësohet se ka treguar për hetuesit se qëllimi i ardhjes në Shqipëri ka qenë pikërisht detyrat e caktuara nga shërbimet ruse, megjithëse gjatë seancës gjyqësore për masë sigurimi i riu nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Prokuroria vijon të verifikojë me ndihmën edhe të autoriteteve të huaja roli e tre shtetasve të huaj duke u bazuar në këtë dëshmi.
/a.r