“Lumi” i gjobave që vë policia rrugore dhe ajo bashkiake, kryesisht për parkimet, shoqërohet nga tani e tutje me një masë drastike të konfiskimit të automjetit duke sjellë telashe me duzinë për pronarët e mjeteve.
Ndryshimet ligjore hynë në fuqi ditën e sotme dhe nëse keni gjoba të papaguara, makina bllokohet menjëherë dhe dërgohet me karrotrec në pikat e grumbullimit që ka policia dhe bashkia.
Nuk është e qartë nëse qytetari do të detyrohet të paguajë masë shtesë administrative dhe tarifën për transportin me karrotrec.
Sipas ligjit të ri, makina do të mbahet e bllokuar deri në paraqitjen nga kundërvajtësi të dokumenteve të munguara.
Por çfarë ndodh kur automjeti u takon personave që nuk kanë lidhje me shkeljen administrative. Në këto raste mjeti nuk konfiskohet, por veprohet duke ndërprerë qarkullimin e mjetit dhe shoqërimin e tij së bashku me drejtuesin e mjetit në Komisariatin e Policisë për verifikim e identifikim.
Sipas ligjit të ri thuhet se “mjetet rrugore për të cilat është marrë masë administrative plotësuese, si ndalim administrativ ose heqje mjeti, ruhen pranë pikave të ruajtjes të caktuara për këtë qëllim.
Ndalimi administrativ i mjeteve rrugore, bëhet sipas afateve të përcaktuara në nenet përkatëse të Kodit Rrugor, pas plotësimit të procesverbalit të konstatimit të shkeljes nga agjenti verifikues.
Në rastet kur nuk është përcaktuar periudha kohore e ndalimit administrativ, ndalimi bëhet në varësi të mundësisë së kundërvajtësit për të paraqitur dokumentacionin e munguar në momentin e konstatimit, brenda periudhës kohore prej 5 ditë kalendarike, kohë e nevojshme për paraqitjen e dokumentacionit të munguar, ose për ankim në OASH.
Në rast të mosparaqitjes së dokumentacionit të detyrueshëm ligjor të mjetit brenda afatit 5 ditor, nga agjenti verifikues përpilohet procesverbali i konstatimit të shkeljes, deri në paraqitjen nga kundërvajtësi të dokumenteve të munguara.
Në rastet e identifikimit të drejtuesve të automjeteve debitorë për kundërvajtjet administrative në fushën e qarkullimit rrugor, për përmbushjen e detyrimeve financiare, agjenti verifikues bën ndalimin me proces-verbal të mjetit në pikën e caktuar të ruajtjes, si dhe plotëson procesverbalin e konstatimit të shkeljes pa vlerë gjobe.
Në të gjitha rastet, kur Kodi Rrugor parashikon përveç sanksionit me gjobë, edhe masa administrative plotësuese, kompetenca e vendosjes së masës administrative plotësuese është e agjentit verifikues që ka verifikuar shkeljen”.
Me ligjin e ri, mund ta humbësh fare mjetin kur kanë kaluar 5 ditë nga rrëzimi i ankesës nga OASH-ja, ose nga përfundimi i afatit për ankesë tek OASH-ja (pra nuk është paraqitur), ose nga përfundimi i periudhës së caktuar të sekuestrimit, kur nuk është paraqitur kërkesa për heqjen e sekuestrimit. OASH-ja shprehet me vendim për vlefshmërinë e konfiskimit të mjetit dhe kalimin e tij në Rezervat Materiale të Shtetit.
/a.r