Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho paralajmëron se do hap “çantën e zezë”, qe simbolizon sipas tij një mori materialesh e dokumentesh profesionale që trajtojnë çështjet e sigurisë kombëtare. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, e cila do të publikohet sot dhe nesër, zoti Braho zbuloi se ish-kryeministri Sali Berisha, është rekrutuar nga UDB ne vitet 1970-80. Madje, në intervistën e tij të mbushur me detaje të padëgjuara ndonjëherë, Z.Braho tregon edhe për afera të tjera të Berishës, si trafiku i armëve në Palestinë dhe Çad, deri tek pastrimi i parave nga ai dhe familjarët e tij.
-Zoti Braho, intervista juaj dhënë gazetës “SOT” më 3 gusht të këtij viti ka pasur një jehonë të madhe, jo se këto gjëra nuk janë diskutuar ndonjëherë në shtyp, por sepse ju jepnit një dëshmi në dorë të parë dhe akuza se Sali Berisha ka qenë spiun dhe agjent i UDB. Me sa kam kuptuar nga reagimet, interesimi ka lidhje me dëshminë që ju sillnit nga dorëshkrimi i operativit të ish-Sigurimit të Shtetit Ali Anadolli, i cili e ka rekrutuar zotin Berisha si bashkëpunëtor në vitin 1967, me pseudonimin “Penicilina”. Keni të dhëna të tjera nga dëshmitë e këtij operativi te sigurimit?
Më vjen mirë për interesimin që ka ngjallur kjo intervistë. Edhe mua nuk më ka pushuar telefoni gjatë gjithë këtyre ditëve. Lexues, të njohur e të panjohur të gazetës “SOT”, kërkonin dhe kërkojnë të dinë se a do të botoni materiale të tjera në gazetën “SOT”… Por unë duhet të them me këtë rast se gazeta duhet të jetë shumë e kujdesshme se në mjaft materiale që botoni për akuza që lidhen me këto të dhëna ka edhe shume trille dhe pasaktësi nga autorë të ndryshëm. Dua të sqaroj fillimisht se është më se e vërtetë se ish-Sigurimi i Shtetit Shqiptar që veproi në vitet 1945-90 ka patur ne inventarin e tij edhe tre dosje agjenturore sipas kësaj renditje:
1- Dosja Berisha
2- Dosja Rama
3-Dosja Metaj
Dosja Berisha kishte të bënte me një bashkëpunëtor të mirëfillte të sigurimit të shtetit dhe UDB-së. Dosja Rama ishte dosje përpunimi agjenturor që kryesisht lidhej me episodin e familjes Popa. Dosja e trete Metaj ishte një dosje që në gjuhën operative quhej dosja “Urithi’ që lidhej me angazhimin e një personi të caktuar në veprimtari zbulimi. Siç i kategorizon këto ndarje studiuesi Bujar Hoxha.(ish-punonjës i lartë i sigurimit të shtetit). Me këtë rast dua të sqaroj një rrethanë historike. Janë bërë disa vlerësime për punën e strukturës represive të shtetit socialist që thirrej sigurimi i shtetit. Një pjesë e tyre janë shumë negativë për këtë veprimtari, ka vlerësime mesatare si strukturë qe shtypëse, por e domosdoshme, ashtu sikurse ka dhe vlerësime normale veçanërisht në arritjet dhe suksesin në metodikën profesionale të tyre. Është evident ky vlerësim edhe në botimin e fundit të Profesor Irakli Koçollari që analizon ‘përplasjet’ gjatë viteve 1945-60 midis sigurimit të shtetit dhe shërbimeve amerikane të zbulimit. Ashtu sikundër se disa drejtues të administratës të lartë amerikane ku mund të përmendim Znj. Albright kanë bërë vlerësime pozitive për disa nga ish-punonjësit e sigurimit të shtetit duke orientuar që një pjesë e tyre mund të angazhoheshin pas prishjes se strukturës të sigurimit të shtetit edhe në ndihmë të disa shërbimeve partnere ndër to CIA-s. Dhe kështu ndodhi në vite, pasi behej fjalë për një angazhim dy palesh për probleme të sigurisë kombëtare të shtetit Shqiptar.
-E vërtet, mund të ndani me ne dhe me lexuesin se çfarë ka mbetur ende pa thënë nga shënimet e operativit Ali Anadolli për bashkëpunëtorin Sali Berisha?
Janë shumë gjëra. Ju duhet t’i kushtonit disa numra gazete asaj dosje, por kjo është thuajse e pamundur. Dëshmitë e Ali Anadollit, një punonjës i respektuar dhe i besueshëm i ish-Sigurimit të Shtetit, tashmë duhet të ishin objekt i Prokurorisë. Megjithatë, për kuriozitetin tuaj dhe të lexuesve të nderuar të gazetës “SOT”, unë po ju tregoj disa gjëra më shumë. Nga dosjet e sigurimit te shtetit është e dokumentuar veprimtaria agjenturore e Rexhep dhe Milica Ramës, vjehrri dhe vjehrra e Sali Berishes, në shërbim të UDB-së. Kjo gjë vërtetohet nga dosja prej mijëra faqesh për Rexhepin dhe Milicen, dosje këto që ndodhen në arkivin e SHISH. Kur erdhi në pushtet, Sali Berisha nuk arriti t’i zhdukte por me anë të Gazidedes mundi të zhdukte dosjen e tij. Edhe Bashkim Gazidede ishte i rekrutuar nga UDB-ja, i tërhequr në bashkëpunim kur ishte mësues në Peshkopi. Jo më kot Berisha i dha këtij personi pushtet të pakufishëm ne vitet 1992-97. Bashkë me Gazideden, Sali Berisha ka zhdukur edhe shumë dosje të tjera, të cilat i janë dorëzuar UDB-së. Fatmirësisht, të dhënat e mësipërme për lidhjet familjare të Sali Berishës dhe gruas së tij, janë botuar edhe në gazetën kosovare “ Koha Ditore” në vitet ’97-’98.
-Le të kthehemi edhe njëherë para viteve ’90, në kohën kur Sali Berisha ka qenë mjek. A ka hije dyshimi në veprimtarinë e mjekut Berisha, i cili arriti të bëhej një nga mjekët më të besuar të udhëheqjes politike të asaj kohe? Të mos harrojmë se ai ishte mjek personali i Hysni Kapos…
Po. Kjo është e vërtetë. Dhe është shumë e çuditshme se si ai arriti të bëhej mjek i Hysni Kapos. Ai donte të shkonte deri tek Enveri, por sikurse e ka deklaruar vetë Nexhmije Hoxha, ajo ka penguar hyrjen e Sali Berishës në ekipin e mjekëve që kujdeseshin për Enverin. Gjithsesi ai arriti të hynte në familjen e Njëshit të asaj kohe, sikurse e keni parë kur ka dalë në fotografitë që janë botuar tashmë në liqenin e Pogradecit, ku Saliu dhe Liria janë bashkë me Sokolin dhe Liljanën fëmijët e Enverit. Në rrethanat që ndodhej, për të arritur pikësynimet e tij, kuptoi se e vetmja rrugë ishte puna këmbëngulëse, aktivizimi intensiv në mbështetje të detyrave të ngarkuara nga Partia dhe bashkëpunimi me organet e Sigurimit. Sa e sa herë, Sali Berisha ka përgatitur ambientet e spitalit dhe ka zbatuar me përpikëri operacionet e brendshme që kryente Sigurimi i Shtetit, duke vendosur teknikën operative përgjuese ndaj kosovarëve te arratisur nga Kosova si grupe irredentiste. Në një rast, kur një djalë kosovar i shtruar në spital, që rridhte nga një familje patriotike dhe fisi i tij kishin vuajtur në burgjet e Goli Otokut, u bënë veprime operative për të zbuluar dhe identifikuar personalitetin e tij, me anë të Sali Berishës. Ky e “identifikoi” dhe e etiketoi atë si serb ! Kur ai djalë do t’i dorëzohej autoriteteve jugosllave në kufi, para se të arrinte atje, u hodh nga një urë dhe theu këmbë e brinjë, vetëm për të mos rënë në dorë të UDB-së. Kosovari nuk u dorëzua dhe u verifikua më vonë se ishte vërtet ndryshe dhe u mbajt në Shqipëri.
-Le të vazhdojmë më tej, sipas dëshmive të Ali Anadollit. Çfarë gjërash të tjera interesante mund të na thoni?
Nuk janë të paktë mjekët që ka spiunuar Sali Berisha, gjoja për veprimtari të dyshimtë dhe armiqësore. Që nga kjo kohë filluan dyshimet ndaj Sali Berishës si agjent i UDB-se jugosllave. Në vitet 1991 – 1992 në Shqipëri u dyndën serbë të Kosovës që e njihnin mirë gjuhën shqipe. Ata ishin udhëzuar nga UDB që, duke u hequr si kosovarë dhe ne bashkëpunim me agjentët serbë në Tiranë, të kryenin veprime për të ndikuar në popullin shqiptar kundër kosovarëve dhe në fakt, deri në një farë mase, UDB ja arriti qëllimit me anë të seksit, hapjes së lokaleve, shitjes së mallrave me çmime të shtrenjta në një kohë kur në Shqipëri kishte varfëri. Në atë kohë, Sali Berisha dhe Mehmet Elezi kanë marrë kontakt me disa prej tyre. Duke lexuar këto dëshmi, unë jam tronditur jashtëzakonisht. Prandaj dhe them publikisht se sado që të flasë për ndershmëri patriotike, Sali Berisha e di se akoma jetojnë persona që e njohin shumë mirë. Në bazën e filozofisë së tij ka qenë mashtrimi, ves të cilin e përdori dhe po e përdor edhe sot në politikë. Kjo cilësi dhe mashtrimi i madh me piramidat e rrëzoi nga pushteti në ’97 –n. Me këto ngarkesa në biografi, Sali Berisha e dinte se nuk mund të ecte përpara duke punuar në mjekësi dhe për këtë hodhi hapin e parë duke e rregulluar që stërvitjen ushtarake ta kryente në Brigadën Rezerviste të Gardës. Pas këtij hapi, duke shfrytëzuar Dine Abazin që ishte mjeku i Hysni Kapos, arriti ta zëvendësonte atë kur mungonte. Kur ishte provizor tek Hysni Kapua, filloi t’i thoshte djalit të tij, Besnikut, që ta hiqnin Dinen dhe të merrnin Sali Berishën si mjek të familjes. Këtë bisedë Besniku ja thotë Dines dhe pas kësaj, Sali Berishën e vunë në dispozicion të familjes së Simon Stefanit. Gjatë kësaj kohe, Sali Berisha shkonte jashtë shtetit për të bërë analizat e anëtarëve të Byrosë Politike dhe, më vonë, edhe ne kurse specializimi 6 e 12 mujore. Duke ditur edhe lidhjet e mësipërme, UDB filloi në këtë kohë përpunimi i tij në Francë nga shërbimi sekret feance dhe ne vitin 1974 tërhiqet në bashkëpunim nga shërbimi i fshehtë jugosllav me pseudonimin e dosjes “Bisturia”, pseudonim ky që duhet të jetë ndryshuar më vonë. “Bisturia” është dosja personale e Sali Berishës në arkivat e UDB-së, ku janë depozituar tërë kontributet e tij në interes të UDB –së. Më vonë, zbulimi shqiptar i dërgon informacion kundërzbulimit ( sigurimit ) se në Shqipëri veprojnë dy kanale të UDB – së : Një kanal kalon nga fshati Viçidol dhe drejtohet nga një mjek kardiolog ndërsa një kanal tjetër vepron në Shkodër. Ky dokument firmoset nga zv/drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zef Loka. Jo më kot, me të marrë pushtetin, Sali Berisha urdhëroi arrestimin dhe burgosjen e tij.
-E, me gjithë këto që thoni, Sali Berisha e mori pushtetin në vitin 1992,2005,2009. A vazhdoi veprimtaria e tij e mëtejshme në shërbim të agjenturave të huaja?
Ju nuk duhet te keni dyshim për këtë, paskeni marrë vesh gjithë fatkeqësitë që i kanë ndodhur Shqipërisë gjatë pushtetit të tij. Me ardhjen e Demokracisë, Sali Berisha filloi të shkruajë dhe të botojë disa artikuj për demokracinë dhe shoqërohej shumë me Mehmet Elezin, funksionar i larte i partisë së punës dhe ne lidhje fisnore me te, i cili kishte lidhje të ngushta me Elez Biberajn, drejtues kryesor i radiostacionit Zëri i Amerikës. Në këto rrethana, perëndimit i duhej të zgjidhte një kandidaturë të besueshme që kishte lidhje të forta që më përpara me vendet perëndimore dhe të ishte nga veriu ( meqë emigracioni më i madh ishte nga veriu, Kosova, Mali i zi dhe Maqedonia ). Por shërbimi amerikan, me anë të ambasadorit Rajerson ne Beograd, i cili ishte i lidhur me grupet e emigracionit shqiptar në Beograd, rekomandoi Sali Berishën për kryetar të Partisë Demokratike, të cilin e mbajtën si të besuarin e tyre dhe e përkrahën më shumë se të gjithë udhëheqësit e Ballkanit duke marre pëlqimin për këtë edhe te presidentit Alia. Pas ardhjes në pushtet, ai e ktheu Shqipërinë në një vend ku strehohej fondamentalizmi islamik dhe në bashkëpunim me Gazideden strehoi terroristë shumë të rrezikshëm. Për këtë ai e lejoi atë (Gazideden ) të krijonte shoqatën islamike dhe të bëhej kryetar i saj si dhe e anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike. Nga fondamentalizmi islamik ai ka marrë qindra mijëra dollarë bakshishe e shumë dhurata të çmuara për gruan e tij, që i mbajnë vetëm gratë e sheikëve dhe që shkojnë me miliona dollarë. Këto probleme i di ish ambasadori ynë në Malajzi, Ferit Hoti. Sali Berisha ka marrë miliona dollarë për t’u çuar armë palestinezëve ne 1996. Ai i nisi avionët me armë, të cilët zbritën me detyrim në Çad dhe u ndaluan të vazhdonin më tej. Urgjentisht ka ardhur në mënyrë sekrete në aeroportin e Rinasit Jaser Arafati udhëheqësi palestinez dhe ka biseduar për gati 1 orë me Sali Berishën, ku e ka kërcënuar se në rast të mos mbërritjes së armëve ose parave të paguara, do ta likuidonte fizikisht. Në këtë kohë dollarët ishin përdorur për qëllime të tjera. Për të larë këtë borxh ai ndërtoi strategjinë për t’i gjetur këto para. Në shtator 1996 Saliu jep konferencë për shtyp ku deklaron se paratë e shqiptarëve në firma janë më të pastrat, ndërsa disa ditë më parë, FMN kishte dhënë sinjalin për mbylljen e tyre. Pas kësaj pati një vërshim të parave të popullit në firmat piramidale, një pjese e lekëve u morën nga qeveria për të shlyer Arafatin. Të tjerat u grabitën nga oborrtarët e Saliut.
-A do të dëshironit të përballeshit me Sali Berishën në gjyq për këto fakte?
Pa asnjë dyshim. Ju mund të mos më besoni mua kur them se Berisha është një superagjent dhe një nga kriminelët më të rrezikshëm të këtij vendi. Atëherë besoni atë që thonë amerikanët. E tha në vitin 2019 një agjent i FBI-së. Ish-agjenti i FBI-së, Mark Rossini duke komentuar protestën e opozitës në vendin tonë asokohe, nëpërmjet një postimi në Twitter e cilësoi këtë protestë si të ndikuar nga rusët, duke akuzuar për këtë drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha. “Në Shqipëri po zhvillohen protesta, të thirrura nga Sali Berisha, i cili është nën ndikimin e rusëve. Nëse Sali Berisha merr pushtetin, Putin do arrijë të depërtojë në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo i hap rrugë Putinit të ketë qasje mikpritëse në portin e Adriatikut”, shkruan Rossini. Çfarë doni më tepër?
-Mund të na tregoni ndonjë gjë më shumë zoti Braho?
Po. Keni të drejtë. Si ish-kryetar i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare kam krijuar bindjen ne fakte dhe dëshmi që janë bëre me këtë rast se UDB-ja përgatiti 2 Prillin 1991 dhe vrau në Shkodër, në bashkëpunim me politikanë të PD (Pjetër Arbnori, Ali Spahia, Ali Kazazi ), Arben Brocin. Gjatë protestës, kur Broci është qëlluar me një pistoletë, një person i quajtur Islam, që ishte afër më Arben Brocin, dëgjoi këto fjalë : “Zef, pse ma bëre këtë ?” Por ka edhe fakte të tjera. Berisha, për të marrë pushtetin ka bashkëpunuar edhe me djallin për te arritur qëllimet e tij. Por le ta ndërpresim këtu për sot këtë bisede./ sot
g.kosovari