Pesëmbëdhjetë persona humbën jetën kur një minibus dhe dy kamionë u përplasën në qytetin rus të Ulyanovsk në rajonin e Vollgës.
Sipas dëshmitarëve, një kamion doli nga korsia kur u përplas me një minibus që udhëtonte në drejtim të kundërt, pranë fshatit Nikolayevka. Në momentin e aksidentit edhe mikrobusi është përplasur në pjesën e pasme nga një kamion tjetër.
Në pamjet e shfaqura nga rrjeti televiziv rus Ren TV, minibusi duket se pothuajse është rrafshuar nga dy kamionët.
Në aksidentin e trafikut, 15 persona humbën jetën, të gjithë shtetas të Kazakistanit, njoftuan shërbimet e shpëtimit të cituara nga agjencia publike ruse Ria Novosti.
Tre persona të tjerë, dy burra dhe një grua, janë shtruar në spital në gjendje të rëndë, shkroi në Telegram guvernatori i rajonit të Ulyanovsk, Alexei Ruskikh.
Shkeljet e kodit të trafikut rrugor janë të zakonshme në Rusi, ku ka pasur disa aksidente fatale me autobus vitet e fundit.
Në janar, pesë persona u vranë dhe 21 u plagosën në një aksident autobusi në rajonin Ryazan, rreth 270 kilometra në jug të Moskës.
Në dhjetor 2019, një autobus me afro 40 pasagjerë u zhyt në një lumë të ngrirë në rajonin Zabaikalsk të Siberisë, duke vrarë 19 persona dhe duke plagosur 21 të tjerë.
/e.d