Në polici, Kujtim Ibraj nuk shfaqi asnjë shenjë pendese për vrasjene të bijës.
“Më kishin mërzitur shumë. Në shtëpi rrija vetëm dhe këtë gjë nuk po e duroja dot më” i tha 56 vjeçari policëve, gjatë marrjes në pyetje.
“Dyshoja se vajzat kishin lidhje dashurie dhe nuk kishin pse të qëndronin më në shtëpi.
Ato duhej të shkonin te të dashurit e tyre”, mësohet të ketë shtuar ai më tej, raporton “GSH”.
Dy ditë më parë, ai qëlloi me thikë mbi dy vajzat e tij, 23-vjeçaren Esmeralda Ibraj dhe motrën e saj më të vogël, 17-vjeçaren Elidona Ibraj.
Më e vogla ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa vajza tjetër ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ku ka marrë vetëm një plagë sipërfaqësore në gjoks.
Çifti i bashkëshortëve kishte disa vite që ishin divorcuar, por sërish jetonin në të njëjtën banesë.
Në njërën anë të shtëpisë jetonte gruaja me 6 fëmijët e saj (4 vajza e 2 djem), ndërsa në dhomën tjetër jetonte Kujtimi. Sakaq, grupi hetimor mori në pyetje edhe të plagosurën, Esmeraldën, si dhe nënën e saj.
“Babai erdhi i dehur në shtëpi. Filloi të zihej me nënën. Unë dhe motra ndërhymë për t’i ndarë, por ai mori thikën dhe qëlloi mbi ne”, – ka deklaruar 23-vjeçarja Esmeralda Ibraj.
Burimet e sipërpërmendura pohuan se Kujtimi u kishte kërkuar dy vajzave që të largoheshin nga shtëpia, pasi sipas tij, nuk duhej të jetonin në shtëpinë e prindërve.