Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Nikoll Shernikun dhe Flutura Berishën, të cilët u arrestuan të mërkurën në një operacion blic të policisë.
Nikoll Sherniku, 28-vjeçari i cili është nën hetim për vrasjen e policit Xhulio Prela në 2020, u arrestua nga policia gjatë tentativës për të kryer një tjetër krim. Ai duhet të ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për këtë hetim, masën të cilën e kishte thyer.
Sherniku po qëndronte në një makinë tip “Toyota” të blinduar pranë një pallati në Kune të Shëngjinit bashkë me një 34-vjeçare dhe një djalë 15-vjeçar. Të tre këta persona, pasi kanë parë policinë, kanë tentuar të largohen me vrap, por arratia nuk ka zgjatur shumë.
Gjatë largimit 34-vjeçarja e Flutura Berisha, tentoi të fshihte një armë zjarri tip kallashnikov me fishekë në fole.
Ndërkohë nga kontrollet e ushtruara në mjet dhe çantën e 34-vjeçares u gjetën 2 radio si ato të policisë dhe 1 krehër tjetër kallashnikovi. Policia tha zyrtarisht se ka dyshime që të ndarë në role, këta persona po përgatisnin një ngjarje kriminale.
/a.r