Qeveria e Malit të Zi u rrëzua. Pas dymbëdhjetë orë diskutimi, Kuvendi votoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviçit. Qeveria ra me votat pro mocionit të 50 deputetëve dhe një kundër. Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 që janë në Kuvend. Pas votimit, Abazoviçi dha dorëheqjen.
“Ky vend do të qeveriset ose nga kriminelët ose nga qytetarët. Jemi në anën e qytetarëve. Më vjen keq që krimi i organizuar në Mal të Zi ende përdor tentakulat e tij për të rregulluar marrëdhëniet politike. Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë në njëqind ditë, do të kujtohemi si Qeveria që zgjati më pak, por që mori vendimet më të vështira. Do të kujtohemi si Qeveria që kishte fytyra të shqetësuara kur u zgjodh dhe më shumë buzëqeshje kur ra.”
Nisma për rrëzimin e Qeverisë, e ndërmarrë nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviçit për nënshkrimin e Marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.
Për rrëzimin votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, Demokratët e Aleksa Beçiçit, Partisë Socialdemokrate, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtetë.
Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviçit nuk morën pjesë në votim. Gjatë mbrëmjes së 19 gushtit, Abazoviç u përpoq të parandalonte rënien e Qeverisë duke u ofruar partive opozitare që të ristrukturojnë së bashku Qeverinë, por nuk funksionoi.
/a.r
Il more legen se edhe ti siç ke mbiemrin dole. I bëhesh krahë kishës serbe. Ajo kishë që shpërnguli më qindra mijëra shqiptarë dhe akoma vazhdon me retorikat antishqiptare. Shumë mirë bënë që të rrëzuan qeverinë.