Bashkë me urimin për nisjen e sezonit të ri futbollistik në Shqipëri, teksa sot ngre siparin Kategoria Superiore me ndeshjen Kukësi-Tirana, presidenti i FSHF-së ka folur edhe mbi pozicionit e trajnerit tonë të kombëtares. Dihet se Edy Rejës po i afron skadimi i kontratës, ndaj kjo çështje përbën interes maksimal në kampin kuqezi.
Kreu i futbollit shqiptar, në një intervistë të gjatë për RTSH, u ndal edhe te kjo temë, duke nënvizuar: “Trajnerit Reja i përfundon kontrata realisht në nëntor, jo fiks pas përfundimit të ndeshjeve të shtatorit. Dy ndeshjet e fundit të ‘Nations League’ ndaj Izraelit dhe Islandës janë vërtetë shumë të rëndësishme.
Ekzistojnë të gjitha mundësitë që ne t’i fitojmë të dyja ndeshjet, por edhe mund të mos fitojmë asnjërën prej tyre. Pra, mund ta mbyllim edhe të parët grupin, por mund ta mbyllim edhe në vendin e fundit. Jemi në një farë mënyre me fat që nuk biem nga Liga B, por kemi edhe objektivin për të shkuar në Ligën A.
Çdo gjë mund të ndodhë në këto dy ndeshje dhe rezultatet mund të sjellin ndryshime apo vendime të reja. Trajneri dhe stafi i tij për mua kanë bërë një punë të mirë në ekipin kombëtar shqiptar. Kemi rritje, kemi elementë të rinj në ekipin kombëtar, kemi një numër futbollistësh akoma më të madh në dispozicion.
Duhet të kemi parasysh që kemi kaluar një periudhë të vështirë, ashtu si e gjithë bota me pandeminë Covid-19. Nuk ka qenë e lehtë që të kishe ekip të gatshëm dhe konkurrues për kompetcionet, qoftë në ‘Nations League’ apo kualifikueset e Botërorit.
Jemi dëshmitarë që vetëm para ndeshjes me Poloninë, më e rëndësishmja e kompeticionit, humbëm tre futbollistë nga Covid-19, por gjithsesi stafi ka zgjeruar grupin për të pasur më shumë zgjidhje. Kështu që në përgjithësi stafi teknik kuqezi ka bërë një punë të mirë, por dy ndeshjet e shtatorit janë vendimtare për këtë kompeticion, edhe për stafin”.