Në Partinë Socialiste nuk do të ketë zgjedhje për kryetarin, mandati i të cilit është i përcaktuar në statut për 4 vjet, e që aktualisht kryesocialisti Rama drejton partinë prej 7 vitesh. Konfirmimin e ka dhënë vetë shefi i qeverisë Edi Rama në intervistën e tij për emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, kur sqaroi se Partia Socialiste është organizuar sipas modelit të laburistëve të rinj. Sipas këtij modeli – sqaroi kryeministri – zgjedhjet e përgjithshme konsiderohen konfirmim i mandatit të liderit të partisë, ashtu sic është edhe në rastet e kryeministrit David Cameron dhe laburistit Tony Blair.
“Cameron u zgjodh kryeministër nuk di të ketë bërë dhe nuk ka për të bërë zgjedhje për kryetar partie. Ashtu si Toni Bler u zgjodh 3 herë kryeministër dhe nuk bëri asnjëherë zgjdhje”, tha Rama.
“Ky debat – sipas tij – mund të vlente kur partia humb zgjedhjet, por partia ka fituar dy herë zgjedhjet”.
Koncesionet, Rama: Një lukunie shpifur dezinformon opinionin
Një lukuni të shpifur i ka vlerësuar kryeministri Edi Rama kundërshtarët e partneritetit publik-privat që qeveria e drejtuar prej tij ka bërë në shërbime të ndryshme. Shefi i qeverisë tha se kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për koncesionet se kanë arritur të rrezikojnë stabilitetin makro-ekonomik të vendit, janë të drejta. Por duke ja adresuar këto kritika qeverisë së shkuar të drejtuar nga Sali Berisha, Rama tha se mazhoranca aktuale ka ndërmarrë tjetër filozofi ndaj partneritetit me privatin, ku shumë koncesione të dhëna nga Berisha janë rinegociuar, siç është ai për skanimin në dogana apo pullat fiskale.
“Koncesionet janë siç thotë FMN. Ndaj i kemi adresuar ndryshe partneritetet, e konsideroj të shpifur gjithë këtë lukuni që është turrur për të dezinformuar opinionin publik. Jemi në angazhim serioz për të ulur borxhin pasi kemi paguar një mal me borxhe të trashëguar që e gjetëm në mes të rrugës dhe nuk ishte i deklauar. Legalizuam një realitet të trashëguar dhe të fshehur”, – tha Rama
I pyetur nëse duhet të ketë denoncime për zyrtarët që kanë vendosur për këto koncesione, Rama tha se nuk mund të shkohet tek aspektet e natyrës penale, pasi për koncesionet tha Rama – është abuzuar me vullnetin sovran të parlamentit, “ka vulosur parlamenti”. “Koncensionet janë tënegociueshme por jo të anulueshme”, theksoi kryeministri.
Alarmi i FMN i cili është shprehur se niveli i koncesioneve ka arritur në përmasa që përbëjnë rrezik për stabilitetin makroekonomik të vendit. Ju si do ta kaloni këtë situatë, nëse kemi parasysh edhe borxhin publik prej 75%?
Ne në fakt jemi në një angazhim shumë serioz për të mbyllur borxhin. Kemi paguar një mal me borxhe të trashëguara që e gjetëm në mes të rrugës dhe që pjesa dërrmuese e tij nuk ishte i deklaruar. Ajo që FMN realizon është një shqetësim, është shumë e rëndësishme të kuptohet se koncesionet janë mekanizma që bëjnë mirë por edhe keq. Në këtë vend kemi një sërë të trashëguara që faktikisht janë ashtu siç thotë FMN. Për këtë ne i kemi adresuar ndryshe partneritetet publike-private dhe prandaj uën e konsideroj të shpifur gjithë këtë lukuni që është turrur për të dezinformuar opinionin publik. Në të kaluarën, kemi trashëguar një sërë kontratash për Hece….
Kemi trashëguar një koncesion për automjetet. Ata që bëjnë kontrollet e automjeteve e shohin që aty s’ka ndryshuar asgjë. Ne kemi ndërmarrë për atë arsye që ndërmerret një nismë, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe jo për të rënduar xhepat e qytetarëve. Privati merret për të bërë investime që shteti s’mund t’i bëjë dhe për t’ia kthyer qytetarit në shërbime më të mira dhe shembujt konkret janë ato si check up, hemodializa, për mjetet spitalore ose mund t’iu them që në kontratat tona për HEC-et nuk ka asnjë barrë për shtetin. Është privati që ndërton.
Përse nuk i çoni në arbitrazh, t’i anuloni këto koncesione?
Ne kemi tentuar, kemi marrë edhe shërbim avokatie ndërkombëtare për të shkuar drejt anulimit. Këto koncesione janë bërë me parlament dhe janë blinduar që nuk ka gjykatë që nuk na jep të drejtë. Sepse një instancë si parlamenti u ka vënë atyre një vulë qorrazi. Ne kemi rinegociuar kontratën me skanimin.
A mendoni se është negocim i drejtë?
Është një shërbim që ne kemi marrë maksimumin. Kemi ulur tarifën doganore nga 39 euro në 22 euro. Kemi marrë përsipër të paguajmë ne faturën e skanimit për industrinë…imagjinoni çfarë dëmi të madh mund të shkaktonte. Kemi negociuar dhe ministri i Energjisë ka ndërmarrë një nismë për të ulur në maksimum dëmet që i shkaktohen buxhetit të shtetit nga një serë koncesionesh të panevojshme në fushën e prodhimit të energjisë.
Kemi marrë përsipër të paguajmë ne tarifën e skanimit.. Ne kemi rinegociuar atë të pullave fiskale dhe kemi refuzuar që të vendosen dhe për ilaçe. Pra jo vetëm hoqëm taksën që kishte vendosur në çdo aspirinë, jo vetëm ulëm 30 % çmimin e ilaçeve në tërësi, por nuk lejuam që publiku të paguajë faturën e këtij koncesioni.
Pjesë nga Intervista:
Këto koncesione të pafavorshme janë nënshkruar nga zyrtarë… përse nuk i denonconi?
Pafavorshmëria është e qëllimshme dhe e gabuar. Kur vjen puna tek aspektet penale, nuk është drejtpërdrejt e lidhur me faktin se koncesioni është i gabuar sepse, ka vulosur Kuvendi. Kjo është pika që i ka bërë këto koncesione të negociueshme por jo të anulueshme.
Ju përmendët atë të hemodializës, e ka marrë një subjekt të cilin ju e keni atakuar gjatë fushatës elektorale…?
Unë asnjëherë nuk kam atakuar subjekte por politika. E kam konsideruar të palejueshme që një parti të atakojë subjekte, sipërmarrje e individ që merren me biznes. Nëse një sipërmarrje përfshihet në një veprimtari, kjo është rezultat i një politike të gabuar.
Nëse në Turqi sot një nga çelësat e suksesit ekonomikë, në shëndetësi, arsim, është partneriteti me privatin kjo domethene që ky partneritet është bërë mirë…
Shqetësimin për koncesionet ka shprehur edhe LSI, konkretisht për koncesionin e Skavicës.
Kemi një kërkesë nga një kompani turke jo për hidrocentralin e Skavicës por për atë të Katundit të Ri që është pjesë e kasakadës. Po kryhet një studim për kaskadën e Skavicës. Hemodializën, të gjithë ata në nevojë që vinin nga gjithë Shqipëria për të marrë një shërbim, për të cilin paguhej 90 euro nga shteti. Sot paguhet 80 euro, por falë partneriteti ky shërbim do shtrihet në të gjitha qytetet. Sot për të bërë një check up kushton 51 mijë lekë të vjetra. Po kush është ai i pasiguruar që mund të harxhojë kaq lekë për analiza. Me 18 mijë lekë të vjetra që i paguan shteti garantohet falas check up.
Opozita ngre pretendime që janë edhe kontrolle fiktive ..
Opozita mund të jetë e mendimit që edhe kjo intervistë është fiktive dhe ne jemi fiktiv. Check up është baza për të bërë një sërë politikash dhe për të parandaluar.
Me tone kritike kundër koncesioneve është shprehur edhe Ben Blushi. Rivali juaj rishtas. Pse në PS duhet të krijonit superdeputetë?
Ne s’kemi krijuar asnjë super deputetë, ne kemi ndërtuar një proces që është i nevojshëm dhe që rezultatet po na tregojnë si ka qenë zgjidhja e duhur për të riorganizuar PS. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet zgjerimi i rradhëve të anëtarësisë, gjithpërfshirja, projeksioni i organizatës si pasqyrë sociale dhe fuqizimi i PS si forca kryesore mbështetëse e këtij procesi reformash.
Duke qëndruar tek deklaratat agresive të Blushit.. ai shpalli edhe kandidaturën e tij…
Unë dua të ndaj qartësisht komentet sepse nuk komentoj komentatorët e atyre që bëjnë mirë ose keq, nga fakti. Fakti është që ne kemi një parti të organizuar mbi bazën laburiste të laburistëve të rinj që zgjedhin një anëtar një votë, liderin e partisë dhe që konsideron konfirmim të mandatit në zgjedhjet e përgjithshme pasi lideri i partisë është edhe kryeministri ku partia fiton zgjedhjet. Ky debat do vlente nëse partia ka humbur zgjedhjet. Kongresi i PS, do të marrë vendimin përkatës dhe kjo është e përcaktuar që nga Asambleja. Unë nuk kam as dëshirën as ngenë të hy në një debat të kësaj natyre pasi është fare e qartë që unë jam zgjedhur nga shqiptarët për të punuar ditë natë, për të realizuar programin tonë për rilindjen. E kam konsideruar dhe e konsideroj këtë një çështje që nuk ekziston. Secili ka legjitimitetin të shoh ndryshe.
A e ndjeni që duhet të rikonfirmoheni nga strukturat e PS?
Ju siguroj që nuk më mungon absolutisht ndonjë rikonfirmim pasi kemi fituar dy palë zgjedhje njëra pas tjetrës dhe e kam parë pa lidhje që ne t’i angazhojmë forcat në një fushatë brenda partisë pas fitimit të zgjedhjeve kur duhet të merreshim me hemoragjinë e vendit. Modeli është ky. Njerëzit na votuan që të qeverisim dhe ne nuk mund t’i thoshim prisni se ne kemi ca zgjedhje të tjera brenda partisë. Cameron u zgjodh kryeministër e nuk di të ketë bërë dhe nuk ka për të bërë zgjedhje për kryetar partie. Ashtu si Tony Bler u zgjodh 3 herë kryeministër dhe nuk bëri asnjëherë zgjedhje.
E shikoni si rival brenda PS?
Jo
Përse nuk përjashtohet Blushi nga PS?
Dihet qartë se kur nuk mund të jesh më pjesë e projektit të saj politik.
E ka kaluar vijën e kuqe ?
Nuk më rezulton.