Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me dy të vdekur në Panaja të Vlorës, ku viktimë mbetën Shpati Lena dhe Haki Xhezo.
Autorët e ngjarjes kanë qenë 3 persona, të cilët besohet se i kanë ndjekur viktimat për disa kilometra dhe sapo janë afruar pranë mbikalimit të Panajasë, i janë shfaqur në krah duke hapur zjarr me breshëri kallashnikovi.
Gazetari Enrik Mehmeti ka mësuar nga burime të policisë se një prej autorëve ka dalë nga makina fillimisht dhe ka qëlluar sërish në drejtim të “Benz-it” të viktimave, ndërsa pak më pas ka dalë edhe qitësi i dytë duke u siguruar se vrasja ishte kryer me sukses.
Ndërkohë bëhet me dije se goditjet kanë qenë aq shumë preçize sa kanë qenë të përqendruara në xhamat e automjeteve dhe janë derdhur gati 60 fishekë. E gjithë ngjarja ka ndodhur për 120 sekonda.
“Është ende e paqartë nëse Shpati Lena ka qenë i ulur para apo pas në rolin e pasagjerit, pasi ai prej kohësh lëvizte me automjet të blinduar. Gjithsej kemi parë vetëm tre plumba në pjesën metalike të automjetit, dhe gjithë të tjerët në xhamin e përparmë dhe xhamat e tjerë. Pista që po hetohen janë edhe konfliktet që mund të kenë pasur kohëve të fundit, por edhe prishja e pazareve të drogës”, zbulon gazetari.
Automjeti ka qenë me xhama të zinj në pjesën e pasme dhe këto dy xhama nuk janë shkërmoqur nga precizoni i plumbave prej faktit se ishin veshur me plastmasë, ndryshe nga çka ndodhur me xhamin e përparme të makinës dhe atë të dyerve të para.
Ajo ç’ka tërheq vëmendjen nga vendngjarja sipas gazetarit Enrik Mehmeti është fakti se policia nuk ka gjetur asnjë gëzhojë arme dhe se Shpati Lena udhëtonte me makinë të blinduar në përditshmëri dhe nuk ekspozohej shumë në Vlorë pas vrasjes së Arben Beqirit në 2019.
/a.r