Fatet e luftërave nuk vendosen gjithmonë në fushën e betejës. Pavarësisht guximit të shfaqur nga ushtarët ukrainas që po e mbrojnë atdheun e tyre nga pushtimi rus, heroizmi i tyre nuk do të mjaftojë pa mbështetjen e vazhdueshme ushtarake dhe financiare nga Perëndimi. Udhëheqësit amerikanë dhe ata evropianë kanë qëndruar deri më tani në mbështetje të fortë të Ukrainës. Megjithatë mbështetja e opinionit publik ka filluar që të zbehet. Ndaj lufta më e rëndësishme për Ukrainën mund të zhvillohet përfundimisht në shtëpitë, rrugët dhe sheshet e gjithë Evropës.
Autoritetet ukrainase kanë treguar një nivel të lartë në marrëdhëniet me publikun. Presidenti Volodymyr Zelensky u bë një sensacion mediatik, duke u shndërruar brenda natës nga politikan tejet jopopullor në një udhëheqës lufte model për kohën tonë.
Qeveria e tij po përdor çdo lloj manuali për ta mbajtur botën të interesuar ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë. Por 6 muaj pas konfliktit ka nisur të dominojë “lodhja nga informacion”. Faqet e para të mediave evropiane po harxhojnë aktualisht më shumë bojë për koston e jetesës sesa për operacionet ushtarake.
Sondazhet e opinionit tregojnë se çmimet e energjisë po i trembin më shumë evropianët sesa armët bërthamore ruse. Dhe kjo nuk është aspak e habitshme. Evropa ka përjetuar një periudhë të paprecedentë prosperiteti për shumë breza. Përveç Jugosllavisë, kontinenti nuk ka përjetuar një konflikt të armatosur për gati 80 vjet.
Të paktët ata që mbajnë mend se çfarë duhet për të fituar një luftë, banojnë sot në shtëpitë e të moshuarve. Kundërshtarët tanë e dinë këtë gjë. Moska pretendon se sanksionet perëndimore të vendosura kundër saj nuk kanë ndonjë ndikim të rëndësishëm. Por kjo nuk është e vërtetë.
Ekonomia ruse po pëson dëme serioze, të cilat shtohen çdo muaj që kalon. Megjithatë, udhëheqësit rusë shpresojnë se Perëndimi t’i përjetojë vështirësitë më keq sesa vendi i tyre, ku një e katërta e familjeve ende kanë qasje në një tualet brenda ambjenteve të banesës së tyre.
Dhe ata kanë të drejtë që mendojnë kështu. Pasi vështirë se kalon një ditë pa përmendjen e “krizës së gazit” në titujt kryesorë të gazetave. Nuk është e habitshme pse shumëkush në Evropë sheh përpara një të ardhme të zymtë. Dhe në këto kushte paraqitja e rritjes së kostos së jetesës si një çmim i domosdoshëm që duhet paguar për lirinë e Ukrainës, është një recetë e sigurt për të hapur telashe.
Mesa duket udhëheqësit po bëjnë çmos për të mbajtur lart moralin e qytetarëve te vendeve të tyre. Boris Johnson e vlerësoi “luftën heroike për liri” të popullit ukrainas, duke shtuar se Vladimir Putin nuk mund të lejohet të “përvetësojë dhunshëm pjesë të mëdha të një vendi tjetër”.
Presidenti francez Emmanuel Macron pretendon të bëjë gjithçka që Rusia të mos fitojë, dhe në mënyrë që Ukraina të mbrojë territorin e saj. Dhe këtë gjë nuk e shprehu askush më troç se Kaja Kallas, kryeministrja e Estonisë: “Qëndrimi kundër tiranisë ka një kosto për të gjithë ne. Gazi mund të jetë i shtrenjtë, por liria nuk ka çmim!”.
Këto janë mesazhe fisnike dhe të vërteta. Por ato janë përçarëse në raport me sigurimin e mbështetjes afatgjatë për kauzën ukrainase. Në fillim, tronditja e luftës në truallin evropian, e bashkoi Perëndimin në një mënyrë të paprecedentë. Një studim i Eurobarometrit në muajt prilli/maj, tregoi se 8 në 10 qytetarë të BE-së, i mbështesin sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.
Por edhe atëherë kjo mbështetje nuk u shpërnda në mënyrë të barabartë, duke arritur vetëm 57 për qind në Sllovaki, 54 për qind në Qipro dhe 44 për qind në Bullgari. Dhe kjo qasje ishte në pranverë, kur faturat e energjisë ishin ende të ulëta. Në korrik tabloja ndryshoi dukshëm. Ndërsa 82 për qind e gjermanëve mbështesnin në maj një qëndrim të ashpër kundër Rusisë në maj, 2 muaj më vonë 47 për qind mendonin se sanksionet po e dëmtojnë më shumë vendin e tyre. Mund ta imagjinoni reagimin e publikut në Sllovaki, Qipro, Bullgari dhe vende të tjera të BE-së, fuqia blerëse e të cilëve nuk përputhet me standardet gjermane.
Një sondazh i krye në korrik, zbuloi se 7 në 10 çekë janë të shqetësuar për çmimet e energjisë. Në Greqi, gjysma e popullsisë është e vonuar në pagimin e faturave të energjisë. Paraqitja e rritjes së kostos së jetesës si një çmim të domosdoshëm që duhet paguar për lirinë e Ukrainës, është një recetë e sigurt për telashe.
Ajo funksionon kur në rrezik është pavarësia e vendit tonë. Por, pavarësisht se sa të neveritshme ju duken veprimet e ushtrisë ruse në Ukrainë, ka gjasa që mirëqenia e familjes suaj të ketë ende më shumë rëndësi për ju sesa liria e disa të huajve në Kharkov.
Pasi të mbërrijë dimri, shqetësimet mund të kthehen në dëshpërim, dhe vonesat në borxhe. Ndërkohë, lufta do të vazhdojë, duke e zbehur akoma më shumë më tej tronditjen fillestare të audiencës perëndimore dhe shkuar drejt indiferencës. Problemet e brendshme do të mbizotërojnë domosdoshmërisht, siç ka ndodhur në fakt gjithmonë.
E vetmja mënyrë për ta ruajtur mbështetjen publike për Ukrainën, është të theksohet vazhdimisht se çlirimi nga burimet ruse është një domosdoshmëri strategjike për të gjithë Evropën. Rusia është bërë padyshim një komb armiqësor. Dhe jetesa në mëshirën e tij do të thotë një kërcënim madhor për sigurinë kombëtare të çdo demokracie evropiane.
Zhvendosja tek furnizuesit alternativë dhe vështirësitë që sjell me vete ky proces, janë para së gjithash një luftë e nevojshme për sigurinë e pavarësisë tonë. Disa udhëheqës po përpiqen ta dërgojnë herë pas here këtë mesazh. Por as kjo nuk mjafton. Në rast se nuk duan të shohin që mbështetja publike për Ukrainën të bjerë përtej pikës së riparimit, qeveritë evropiane duhet të miratojnë një qasje të qëndrueshme dhe të fokusuar tek komunikimi.
Për shumë vite, politika jonë ka qenë e mbushur me tregtarë, teksa i mungonin shumë shtetarët. Ne po shohim tani shumë burrështetas, por na mungon marketingu. Vladimir Putin mund të jetë i gatshëm ta vazhdojë agresionin e tij gjatë dimrit të ardhshëm, kur rritja e kostos së jetesës do ta zvogëlojë më tej entuziazmin pro-ukrainas në Perëndim.
Por në horizont shfaqet një rrezik edhe më i madh. Një përzierje e arsyeve ushtarake, ekonomike dhe klimatike mund ta detyrojnë Putinit të shpallë “fitoren”, të shtojë përfitimet territoriale në jug dhe lindje të Ukrainës, dhe t’i japë fund operacioneve ruse.
Ukraina nuk mund ta pranojë kurrë një rezultat të tillë, sidomos humbjen e pjesës më të madhe të vijës së saj bregdetare. Më pas, imazhi publik i konfliktit mund të transformohet me shpejtësi, me propagandën ruse që i paraqet ukrainasit si luftënxitës që sabotojnë përpjekjet për paqe të Kremlinit.
Nëse ky skenar shndërrohet në realitet, përpara se audienca perëndimore ta pranojë se sanksionet ndaj burimeve ruse ekzistojnë për hir të vetvetes, asgjë nuk do t’i bindë ata të vazhdojnë të sakrifikojnë paratë dhe rehatinë e tyre në mbështetje të Ukrainës.
Qeveritë do të përballen me një presion në rritje për të “normalizuar” marrëdhëniet me Rusinë. Ato që do të rezistojnë mund të zëvendësohen nga politikanë më miqësorë me Kremlin. Me pak fjalë, do të fitonte Rusia. Dhe Putin do të provonte se është e mundur të grabitësh pjesë të territorit të një vendi tjetër, dhe t’ia hedhësh paq. / Përktheu: abcnews.al
/e.d