Dy shtetas italianë janë arrestuar sot në flagrancë në qytetin e Elbasanit, me një akuzë disi të veçantë, e denjë për një skenar filmi.
Dy italianët e moshuar, 67-vjeçari F.M banues në Napoli dhe 76-vjeçari R.G banues në Milano, akuzohen nga forcat e rendit se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shitur në disa argjendari në kryeqytet por edhe në Maqedoninë e Veriut, një sasi metali i reklamuar si ar, në formë kokrrizash, me një vlerë të përllogaritur rreth 200 000 euro.
Në fakt metali i shitur nuk përbëhej vetëm nga metali i çmuar, por ishte një përzierje me një vlerë shumë më të ulët, për mos të thënë i papërdorshëm.
Mashtrimi vazhdonte të paktën nga muaji i qershorit, dhe skema e mashtrimit ishte e thjeshtë aq sa “djallëzore”. Fillimisht dy italianët i paraqisnin argjendarive një sasi të vogël ari të pastër, dhe më pas dorëzonin sasinë e mbetur, që në fakt ishte e përzier me metale të ndryshme.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 kilogramë ar i dyshuar si i rremë, 160 gramë ar i pastër, 4 aparate celulare, 1500 euro dhe 150 franga zvicerane.
Matrialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të lincencuara” dhe “Mashtrimi”.
/a.r