Ligat amatore të futbollit në botë dhurojnë gjithmonë momente komike dhe të çuditshme. E tillë ka qenë dhe ngjarja e ndodhur në Afrikën e Jugut, në divizionin e tretë, ku tensionet ishin të larta brenda dhe jashtë fushës.
Vendimet e arbitrit gjatë gjykimit të një ndeshjeje u quajtën të parregullta nga disa tifozë, por njëri prej tyre mori guximin të bënte një veprim të frikshëm.
Ky tifoz, kërcënoi arbitrin në debat e sipër duke i thënë: “Tani do të vij atje dhe do ta tregoj unë”. Të tjerët mendonin se janë vetëm disa fjalë që shpesh ndodhin në futboll, ku tifozët kanë pakënaqësitë e tyre ndaj arbitrave.
Por tifozi e kishte seriozisht gjithçka. Ai i hipi makinës së tij, e ndezi dhe i dha gaz duke u drejtuar në drejtim të fushës për të shtypur arbitrin. Lojtarët filluan të vraponin dhe u larguan me shpejtësi për t’i shpëtuar veprimit që mund të rezultonte fatal.
Fatmirësisht, ashtu si lojtarët, arbitri arriti t’i shmangej makinës. Sipas raportimeve vendase, policia arriti të arrestonte tifozin.