Nga Dritan Gremi
Imazhi i Shqipërisë dje u bë copë.
Dy gazeta britanike dhe një tjetër belge, shkruajnë për Shqipërinë si vendi i drogës, i bandave dhe trafikut të qenieve njerëzore.
Pa dashur aspak të ngre teori konspirative, por në të njëjtën kohë pa dashur të jem naiv, e kam të pamundur të mos shoh një lloj tendence negative në mënyrën e tyre të trajtimit. Duket si një sulm i mirëorkestuar për qëllime, që besoj se ata që i kanë, i dinë edhe më mirë. Megjithatë nuk mund të rri pa pyetur:
Ndërsa flasin për shqiptarët si njerëzit e trafikut, apo për “djemtë e Londrës” dhe legjendat e tyre, a u kujtuan këto media të thonë se në fakt, trafiku i qenieve njerëzore është bërë historikisht nga qytetarë të BE-së përfshirë anglezë, francezë, belgë, etj.?
Në fakt shoferët e kamionëve që kalonin tunelin e La Manshit nuk janë shqiptarë, por qytetarë të Bashkimit Europian. Edhe avionët e vegjël turistikë që përdoren për kalimin ilegal nga një vend në tjetrin, nuk janë në pronësi të shqiptarëve dhe as drejtohen nga ata. Anijet dhe jahtet po ashtu janë pronë e shtetasve të BE-së, me staf dhe kapitenë gjithashtu evropianë.
E pra, trafiku i qenieve njerëzore nuk bëhet vetëm nga shqiptarët, por çuditërisht emri u lakohet vetëm atyre edhe pse pjesë e zinxhirit janë gjithashtu shtetasit europianë. Përse kjo tendencë për t’ia faturuar e për ta shitur të gjithë fenomenin e trafikut të qenieve njerëzore si një histori shqiptare? Kjo do të thotë të shohësh vetëm njërën anë të medaljes.
Shumë mirë bëjnë gazetarët e huaj që investigojnë fenomenet e jashtëligjshme dhe problematikat, por përse nuk shkojnë deri në fund e të investigojnë dhe palën tjetër, shtetasit e tyre, pa të cilët ky trafik jo vetëm nuk do ishte iniciuar, por nuk do mund të zhvillohej as sot që ne flasim?
Për mos shkuar pastaj tek politikanët tanë që “peshkohen” shpejt, e me shumë zell dhe dëshirë (që një Zot e di nga u buron), shajnë e ulërasin për vendin e tyre, në anglisht e jo në shqip, duke e damkosur gjithë fenomenin, (patjetër kriminal), si 100% shqiptar.
Jam i sigurt që do të mjaftonte pak dashuri për vendin e tyre, dhe pak më shumë dinjitet njerëzor, që një deputet i kuvendit të mos shante e mallkonte vendin e tij përpara të huajve, kushdo qofshin ata, e po kaq do të duhej që një kryetar bashkie t’ja kursente vetes viktimizimin e tepruar duke pozur me foton e mbretëreshës në duar.
E gjithë kjo ndodh në një kohë, kur sezoni turistik të paktën në jug të vendit po mbyllet thuajse me dështim të plotë, kur të qenit pjesë e BE-së varet nga qasja që Europianët kanë kundrejt nesh dhe kur imazhi në të gjithë botën, përkthehet në para.
E ndërsa fqinjët tanë paguajnë, investojnë dhe lobojnë për të rritur imazhin ne bëjmë të kundërtën. Me një zell që nuk di se nga buron, godasim vendin tonë. Po a goditet a me gurë nëna që të ka bërë kokën?! Është bërë si sport dite, për gjithçka “fajin e ka Shqipëria”…
Dhe goditjet më të forta ja japin pikërisht ata, që në jetën e tyre s’i kanë thënë një herë “mirëmëngjes” punës dhe kan përfituar mv shumë nga ky vend duke e zhvatur. A thua se nuk do të jetë po ky vend, po ky imazh që opozita e sotme do të trashëgojë nëse do të jetë në qeverisje nesër! Më thoni një politikan në botë, që del publikisht dhe “godet” vendin e tij jashtë kufijve!
Që të jem i qartë. Kurrsesi nuk dua të mohoj problemet që kanë shqiptarët dhe Shqipëria, por pyetja ime është: Kujt i shërben nxjerrja e tyre jashtë? Sepse siç thoshte Gianni Agneli “I pani sporchi si lavano a casa”, apo siç më pëlqen të them vetë “Jashtë Shqipërisë, Shqipëria nuk shahet”!
Duke iu drejtuar gjithmonë këtyre shqiptarëve, u them që ka patur dhe kanë gjithë mundësitë që gjërat t’i ndryshojnë nga brenda. Të denoncojnë çdo fenomen të jashtëligjshëm kriminal dhe çdo padrejtësi nga foltorja e kuvendit, në prokurori e kudo, sepse ligji ua jep të drejtën. Por besoj se diskursi i foltores së parlamentit apo hedhje-pritjet në debatet virtuale të rrjeteve sociale nuk janë diskutime që mund dhe duhet të bëhen nëpër botë.
Sepse e gjithë kjo ka një kosto tepër të lartë për vendin dhe nuk i shërben Shqipërisë.
Është pikërisht kostoja e këtij imazhi të dëmtuar, shpesh në mënyrë të padrejtë, të cilin ne po vazhdojmë ta paguajmë edhe sot.
Shkoni në Itali dhe pyesni çfarë mendojnë për shqiptarët! Na shohin ende si njerëzit mbi anije, si të prapambeturit e të paditurit, që jetojnë vite dritë larg tyre. U bënë 30 vite që nga ajo kohë, dhe fatkeqësisht imazhi ka mbetur po ai.
E dini çfarë ndodh në Francë? Raporti “i famshëm” i Dick Martit dhe trafiku i organeve në shtëpinë e verdhë vazhdon edhe sot të ketë jehonë, pavarësisht se prej tij nuk është vërtetuar asnjë gërmë e tashmë kanë kaluar më shumë se 10 vjet.
Pas punës së zellshme të lobeve ruse e serbe për t’i dhënë zë të pavërtetave të këtij raporti, francezët edhe sot e shohin Shqipërinë si vendi i drogës, ku trafikohen njerëz, ku shiten e blihen organe. Dhe në një vend të tillë, askush nuk do donte të udhëtonte, të kalonte pushime e të shpenzonte para.
Përballë këtij realiteti, ka qenë “stoike” heshtja jonë, e ca me keq akoma, balta që hedhim mbi vete pa kuptuar se sa shumë na bën pis.
Si mendojmë ne se mund të zhvillohet një vend, se mund të rritet turizmi dhe të ardhurat e tij, se mund të bëhet pjesë e BE? Me imazhe dhe perceptime të tilla? A e kemi menduar se vlera e imazhit dhe e brandit të vendit, është në fakt vetë vlera jonë dhe e pronës sonë?
Si njeriu që punoj me të huajt e di fare mirë se çfarë do të thotë kjo. E di mjaft mirë se sa i kushton biznesit tim dhe cilitdo biznesi tjetër, imazhi i një vendi të pasigurt, ku trafikohen njerëz dhe shitet drogë.
Për ata që nuk e kuptojnë, është e thjeshtë: Do të thotë më pak turistë, më shumë plazhe të zbrazura e natyrisht më pak të ardhura. Më tej akoma, do të thotë më shumë pengesa për integrimin në BE. Do të thotë humbje për Shqipërinë.
Më lejoni t’ju kujtoj se Greqia me indeksin e kriminalitetit për banorë më të lartë se ne, siguroi këtë vit 15 miliardë euro vetëm nga turizmi, ndërsa ne vazhdojmë të njollosim “brandin shqiptar”.
Në thuajse gati 10 vjet të punës sime me pacientë të turizmit dentar nga Anglia, Belgjika, Italia, Franca, Zvicra e madje edhe nga SHBA e kam kuptuar mjaft mirë peshën e imazhit. E kam kuptuar po aq mirë edhe peshën e të vërtetës.
Të “mbarsur” me helmin e kronikave dhe lajmeve për shqiptarët trafikantë apo kultivues droge, të gjithë këta njerëz me skepticizëm dhe pasiguri kanë prerë një biletë për në Tiranë e janë larguar prej aty të mbushur me pozitivitet. Mjafton të dëgjosh intervistat e tyre për shqiptarët mikpritës, pozitivë, që flasin anglisht e italisht, që të gjenden e të ndihmojnë në çdo pyetje që u drejton, që nuk të grabisin çantën kur del në rrugë e që nuk të vrasin nëse je i huaj.
Të gjitha këto janë të vërteta e dikush duhet t’ua thotë atyre qytetarëve atje në Europë, përpara se ata të vijnë e t’i prekin vetë.
Imazhi mua më dhemb. Nëse nuk mjaftojnë arsyet logjike e shpirtërore, më lejoni t’ju jap edhe disa argumenta ekonomike. Të paktën prej 5 viteve, përveç tregut italian dhe francez po punoj ngushtësisht me tregun britanik.
Shpenzoj minimalisht çdo muaj 5 mijë euro, për krijimin e materialeve filmike dhe promovimin e tyre, me qëllim ndarjen e përvojave pozitive të pacientëve dhe ndërtimin e një imazhi pozitiv për Shqipërinë, si një vend, ku jo vetëm mund të gjesh shërbime cilësore të kurave dentare, por mundesh gjithashtu të kesh një turizëm në 360 gradë në një vend të sigurtë.
Dhe 5 mijë euro për çdo muaj janë në fund të vitit 60 mijë. Llogarisni që në 5 vite më është dashur të shpenzoj të paktën 300 mijë euro për të rritur imazhin, jo vetëm të biznesit tim, por edhe të vendit.
Çfarë ndodh pas botimit të artikujve si ata që po lexojmë këto ditë? E merrni me mend vetë.
A ka probleme Shqipëria? Sigurisht dhe besoj fort politika është më i madhi. Diku me heshtjen e diku me sjelljen e gabuar, politika e ka dëmtuar imazhin. Por asnjëherë nuk është vonë për të reaguar.
Është koha për nje strategji të re dhe agresive me komunikimin dhe PR. Është koha e orientimit konkret të buxheteve për “branding reputation” (për të mbrojtur brandin) duke përdorur më tej çdo mjet të mundshëm komunikimi për të rritur numrin e turistëve dhe të ardhurat në vend. Ashtu si çdo biznes, që 10 përqind të të ardhurave duhet t’ia dedikojë komunikimit, PR dhe marketingut, është momenti që institucionet tona, shteti ynë dhe Ministria e Turizmit të alokojë 10 përqind nga të ardhurat vjetore të turizmit, për rritjen e imazhit dhe të brandit shqiptar (mbase edhe me shumë pasi kemi vërtet shumë nevojë). Nuk është koha të bëjmë spektatorin, sepse Shqipëria nuk është vetëm ajo e drogës, e Maseratit, e politikës dhe e çunave të Londrës. Ata janë vetëm një pjesë e vogël e saj. Shqipëria është e të gjithë atyre që vendin nuk e shajnë në dyert e botës, por punojnë dhe jetojnë aty ndershmërisht. Dhe të gjithë atyre, u keni një borxh të madh, sepse jashtë Shqipërisë, Shqipëria nuk shahet!