Speciale JavaNews.al/ Shfrytëzimi i vajzave të reja për prostitucion përbën një ndër plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare të post-komunizmit. Ky fenomen njohu përmasa të frikshme gjatë viteve të trazuara 1996-1999, dhe ka ardhur duke u zbehur me forcimin e institucioneve ligjzbatuese. Skema ishte thuajse e njëjtë, vajza të reja që piketoheshin dhe rrëmbeheshin, e më pas, nxirreshin jashtë kufijve nga bandat në mënyra të ndryshme. E kur mbërrinin në destinacion, javë të tëra tortura, përdhunime deri sa i nxirrnin në rrugë.
Vitet e fundit bazat e prostitucionit janë përhapur ndjeshëm në vendin tonë, dhe “maskohen” kryesisht nëpër hotele. Gjatë 5 viteve të fundit, një fenomen që po njeh rritje është vetëofrimi i të miturave për prostitucion për shkak të varfërisë apo në mungesë të kushteve për mbijetesë. Javanews.al sjell shembullin e një të miture e cila rrëfen për Prokurorinë e Krimeve të Rënda se si vendosi të prostituoj dhe si u afrua me tutorin e saj. Ajo tregon se tutori nuk e ka dhunuar, por ka shfrytëzuar rastin për ta afruar në aktivitetin e jashtëligjshëm për shkak të varfërisë.
Fenomeni, në rrugë për shkak të varfërisë
I pandehuri Xh. Osja ka jetuar në qytetin e Shkodrës ku gjatë vitit 2014 e deri në momentin e arrestimit të tij ka rekrutuar me qëllim përdorimin dhe shfrytëzimin si prostituta të vajzave të ndryshme të cilat afroheshin tek i pandehuri me qëllimin e gjetjes së mjeteve të përshtatshme për jetesë.
E mitura G.B, e shfrytëzuar nga Osja, ka qënë banore e qytetit të Shkodrës në një banesë me qera dhe është njohur me të pandehurin në rrethana shoqërore. Kjo shtetase për shkak të marrëdhënieve jo të mira me familjen e saj është detyruar të largohet nga banesa e saj duke u strehuar me qera. Kjo shtetase ka ushtruar prostitucion për disa kohe me radhë ku fillimisht ka ushtruar prostitucion për të dënuarën A. Likaj. Më pas e dëmtuara G.B është shkëputur nga A.Likaj dhe ka rënë në kontakt me të pandehurin Xh. Osja. Duke përfituar nga njohja e tyre e mëparshme i pandehuri ka ditur gjendjen e të dëmtuarës si dhe punën me të cilën merrej ajo. Në këto kushte i pandehuri ka shfrytëzuar situatën në të cilën ajo ndodhej duke kryer veprime aktive ne drejtim të rekrutimit të të dëmtuarës, gjetjes së vendeve për ushtrimin e prostitucionit si dhe gjetjes së klientëve për ushtrimin e prostitucionit. Së bashku me të dëmtuarën G.B kanë qenë dhe të miturat F.K dhe B.M. Ato jetonin në të njëtën banesë në Shkodër, banesë kjo e marrë me qera prej tyre. I pandehuri duke qënë në kontakt të përditshëm më të dëmtuarat ka arritur të krijojë lidhjen me to, duke shfrytëzuar gjendjen e tyre dhe faktin që dhe më parë ato kishin ushtruar prostitucion kundrejt pagesës.
Braktisja nga prindërit, rruga drejt prostitucionit
E dëmtuara F.K është e mitur e racës rome dhe që ushtronte prostitucion dhe me parë. Kjo shtetase rezulton të jetë e braktisur nga familja e saj dhe nuk ka patur një vend të saktë në të cilin të jetonte. Ajo ka qënë strehuar më parë tek shtetasja A. Likaj, vend nga i cili është larguar së bashku me shtetasen G.B. Edhe e dëmtuara F.K. ka ushtruar prostitucion duke qënë e trafikuar nga shtetasja A. Likaj. Ka qënë e dëmtuara G.B. personi që e ka njohur dhe e ka prezantuara të dëmtuarën F.K. me të pandehurin Osja.
Dëshmia e të miturës: Si u bëra prostitutë
Nga njohja, e deri tek shfrytëzimi i të miturave për prostitucon. Gjithçka ishte e mirëmenduar nga tutori, i cili studionte vajzat me probleme ekonomike, dhe i afronte ato. Në asnjë rast nuk përmendet detyrim me dhunë në dosjen e Prokurorisë, por shfrytëzuesi josh të miturat e varfëra, që gjendet përballë pamundësisë për të siguruar jetesën.
Ja një pjesë e intervistimit të të miturës F.K, para prokurorëve:
“………Kur kam ikur ne Shkoder kam filluar pune ne nje lokal kamariere dhe ka qene nje grua qe me sillte kliente e mi merrte leket ajo. Kjo grua e kishte emrin Dada nuk i mbaj mend emrin tjeter. Lokali ndodhej tek Ura e Bunes ne Shkoder. Emer nuk kishte lokali.
Në lidhje me detaje të tjera sqaron:
……. Nje dite ishte duke rene shi dhe isha duke ec ne rruge dhe G.B. me tha prit te marr nje shok ne telefon. Ajo e mori ne telefon dhe vjen ky dhe ishte me nje shok tjeter. Hipem ne makine me te dhe na coi tek shtepia e G.B.. Aty jam njohur me Xhevahirin dhe 2-3 here tjera qe kemi dale.
Fakti i gjetjes së klientëve nga i pandehuri rezulton i provuar nga dëshmia e mëposhtëme :
– Ka ndodhur te ju kete gjentur klient Xh. Osja?
– Po ka ndodhur.
– Kush e bente pazarin e klienteve ?
– Une se kam bere por e ka bere ai vete.
– Keni dijeni se cfare pune ka bere G.B. ne kohen qe keni qendruar ne te njejten banese me qera.Ka ushtruar prostitucion G.B ?
– G.B ka bere edhe me perpara dhe gjate kohes qe ka qene ne shtepi me mua, po ka ushtruar prostitucion.
– A i ka gjetur klient Xh. Osja, G.B.?
– Xhevahiri i ka gjetur klient G.B.
– Klientet nga ishin i mban mend me emrat ?
– Nuk i mbaj mend. Klientet ishin nga fshatrat e Shkodres.
– A eshte e vertete qe keni marre leke kundrejt sherbimit seksual nga duart e Xh.?
– Po kam marre.
Nga hetimi i kryer prej Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se i pandehuri ka kryer një sërë veprimesh aktive të cilat përbëjnë vepër penale dhe konkretisht:
- Ka gjetur të dëmtuarat,
- Ka studiuar të dhënat personale të tyre,
- Ka joshur të dëmtuarat me pretekstin e gjetjes së klientelës,
- Ka gjetur klientët,
- Ka marrë paratë e përftuara nga ushtrimi i prostitucionit.
Kjo histori përbën një prej shumë dosjeve hetimore të prokurorisë me vajza të mitura që vetëofrohen për të ushtruar prostitucion./Javanews.al