Saga e ‘babait’ të Çufos e kineastit Fagu, në të 80-tat ende pa pension special, kritiku: Artistët s’mund të shtrijnë dorën për një kafe, t’u jepet vendi që meritojnë
Gaqo Bushaka është në prag të 80-tave. Një nga autorët më të suksesshëm për fëmijë, që vijon krijimtarinë e tij ende sot. I njohur si ‘babai’ i Çufos, me librat e tij janë rritur fëmijët gjatë e pas rrëzimit të diktaturës. Por, rezultatet e tij në fushën e kulturës e arteve duket se nuk janë mjaftueshëm të dallueshme për të merituar prej qeverisë një pension special. E në fakt pensioni i tij është më pak se 20 mijë lekë. Rasti i Mithat Fagut, me 110 mijë lekë të vjetra, është edhe më dramatik. Është 84-vjeç e ka mbi 3 dekada punë në ish-Kinostudio me një kontribut të vyer në filmin e animuar e atë dokumentar, si dhe ka realizuar filmin artistik “Prita”… Mban mbi shpatulla edhe historinë e largimit për 12 vjet nga ish Kinostudio. Fagu jeton në Itali, e kërkon të rikthehet po këto të ardhura për të janë të pamjaftueshme për të mbajtur frymën gjallë. Pak kohë më parë bëri apelin e tij në Report tv.
“Më vjen shumë keq për këtë përçmim që më bëhet nga Kryeministria, për figurën time, për kontributin që kam dhënë e që jam vetësakrifikuar”, tha ndër të ai pak kohë më parë.
Njësoj si në rastin e poetit Jorgo Papingji janë dashur thirrjet mediatike, që të fitohet besueshmëria në komisionet e Ministrisë së Kulturës. Por, siç rrëfejnë edhe vetë artistët Bushaka e Fagu, për ta hallka ku mohohet pensioni është në Këshillin e Ministrave.
“Ka spekulacion edhe një degradim të titujve të lartë që përfaqësojnë pjesën e epërme. Dhe ka njerëz që as nuk e meritojnë në raport me të tjerët që ne i njohim. I njohim ne, i njeh edhe publiku , ndaj duhen vendosur standarde të tilla që artisti të gëzojë edhe një pension të mirë. Të mos shtrijë dorën dhe të mendojë a do e paguajë dot një kafe”, thotë kritiku artit, Josif Papagjoni.
Në mungesë të një statusi për artistët, për ta ndryshe nga të moshuarit e tjerë me kontribute të veçanta si deputetët apo ushtarakët, miratimi i pensionit special nuk ka garanci. Bushaka dhe Fagu, janë vetëm dy nga rastet që prej dekadash presin që shteti të kujtojë kontributin e tyre, sa janë ende në jetë.
“Është një detyrim jo privilegj! Një detyrim që në fund të fundit përcakton edhe imazhin e qeverisë e Ministrisë së Kulturës. Çfarë imazhi kanë këta njerëz?! Si e vlerësojnë këtë çështje?! Ministria e Kulturës nuk është për të qëndruar nëpër zyra, por që ta bëjë problem këtë çështje në të gjitha instancat për tu dhënë artistëve vendin që meritojnë”, thotë Papagjoni.