Një seri shpërthimesh të fuqishme kanë rrafshuar krejtësisht një qendër tregtare në kryeqytetin armen Jerevan. Një person konfirmohet i vdekur, ndërsa 20 të tjerë të plagosur, një bilanc që pritet të jetë shumë herë më i lartë, pasi në momentet e shpërthimeve, brenda qendrës klientët ishin të shumtë.
Shpërthimet ndodhën pas një zjarri në një dyqan fishekzjarrësh, pranë të cilit ndodhej edhe një magazinë e madhe. Nisur nga përmasat e shpërthimeve dyshohet se sasia e fishekzjarrëve të depozituar atje ka qenë e madhe.
Reja gjigante e tymit ishte e dukshme në çdo cep të kryeqytetit armen, ndërsa qendra tregtare ndodhej rreth 2 kilometra larg qendrës. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve dhe për nxjerrjen e trupave nga rrënojat. Hetuesit po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të rënies së flakëve.
/a.r