Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë, të ndodhur pasditen e së premtes në Cetinje të Malit të Zi, ku 34-vjeçari Vuçko Boriloviç vrau 10 persona dhe më pas u ekzekutua nga policia.
Gazetarja në Malin e Zi, Ilmira Lika tha për “Euronews Albania”, se autori ka folur në telefon me bashkëshortin e viktimës, të cilët me dy fëmijët e tyre, jetonin me qira në banesën e tij.
Bashkëshorti mori autorin në telefon, teksa ky i fundit i tha se i kishte vrarë familjen.
“Ai ka zbritur te ata dhe i ka vrarë. Dy fëmijët 11 dhe 8 vjeç, ka vrarë edhe nënën. Nëna, në momentin kur mbeti e plagosur, ka arritur që të thërrasë bashkëshortin e vetë, duke i treguar se çfarë ka ndodhur. Bashkëshorti, sipas informacioneve, ka thirrur vrasësin dhe i është përgjigjur dhe i ka thënë që e kam vrarë familjen tënde. Pastaj, bashkëshorti dhe babai i fëmijëve të vrarë, ka thirrur një person tjetër të afërt, që të shikojë se çfarë po ndodhte te shtëpia e shokut të vetë, vrasësi e ka vrarë edhe atë”, sqaroi gazetarja Lika.
Ajo u shpreh se ende nuk dihen nëse mes qiramarrësve dhe pronarit të banesës ka pasur konflikte, teksa banorët e zonës kanë thënë se 34-vjeçari ishte një person i qetë dhe se janë tronditur nga ajo se çfarë ka ndodhur.
Ndërsa, bashkëshortja e vrasësit dhe kolegët e tij të punës, deklaruan se kishin vënë re ndryshime në sjelljen e tij kohët e fundit, por nuk ishte agresiv.
Nga ky sulm, mbetën të plagosur edhe 10 të tjerë, kaër prej të cilëve janë shtruar në spitalin e Cetinjës, ndërsa dy janë transportuar në Qendrën Klinike në Podgoricë.
Qeveria e Malit të Zi do të shpallë tri ditë zie kombëtare lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e së premtes.
Kjo është ngjarja më vdekjeprurëse në dekadat e fundit në Mal të Zi teksa ndodhi në kulmin e sezonit turistik./m.j