Report Tv ka mësuar zyrtarisht se SPAK ka regjistruar të paktën tre procedime penale për disa kallëzime ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe rrethit të tyre, për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie, mashtrim me deklaratën e pasurisë etj. Edhe pse protagonist i kallëzimeve penale është Ilir Meta, procedimet penale janë regjistruar fillimisht pa një emër konkret që i atribuohet vepra penale, duke ia lënë hetimit për të nxjerrë në vijim personat e implikuar.
Report Tv ka parë pjesërisht materialet penale që janë referuar në SPAK për Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Petrit Vasilin, Muharrem Berishën, Elona Gurin etj., bashkë me provat shoqëruese, prova të cilat kanë bindur paraprakisht prokurorët për të nisur hetimet. Një nga provat dhe faktet që mund ta veshë Ilir Metën me statusin e të pandehurit është lobimi në SHBA me qindra mijëra euro, para këto të provuara me dokumente që janë shpenzuar, por që nuk janë deklaruar askund, as në KQZ dhe as në ILDKPKI.
Por, lobimi me para që nuk u dihet burimi, është vetëm një element komprometues në dosjet që janë referuar për Metën në SPAK. Në materialin kallëzues ngrihen dyshime të forta për pronësinë e godinës së LSI, lëvizje të parave jashtë vendit, skema pastrimi parash, përdorim të pushtetit për pasurim familjar etj.
Në vjeshtë, hetimet e SPAK pritet të qartësojnë rolin e Metës në çështjen e lobimit me para të pajustifikuara dhe akuzat e tjera të pretenduara. Si për ironi, dy ditë më parë, Ilir Meta tha se shtatori do të jetë përvëlues për korrupsionin.
“Edhe pse ju duket gushti pak si i nxehtë të jeni të sigurt që shtatori, do të jetë përvëlues për këtë sekt të korruptuar, për këtë sekt që ka humbur çdo lidhje me vendin dhe qytetarët, me hallexhinjtë, me njerëzit e zakonshëm”, tha Meta.
A mund të jetë shtatori përvëlues për vetë Ilir Metën? Sali Berisha, sot aleati kryesor politik i Ilir Metës, ka deklaruar në gusht të vitit 2001 se Meta do ta mbyllë jetën e tij prapa hekurave.
“Për PD, Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura. Në historinë e vendit, ky mbetet njeriu që me bandat e tij, ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit, të trafiqeve të skllavërisë së seksit, të fëmijëve të drogës dhe armëve.
Mbi këta të dy (për Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij) rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas malit të Dajtit. Nuk do të jetë e largët dita kur Ilir Meta do ta mbyllë jetën e tij pas hekurave të burgjeve”, deklaronte Berisha për elatin e tij aktual Ilir Metën. A do të përmbushet profecia e Sali Berishës për Ilir Metën? Gjithçka mbetet për t’u parë./Adtiatik Doçi-shqiptarja.com