Vdiq në rrethana të dyshimta në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, rikthehet çështja për aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Avokati i familjes Dehari, Tom Gashi, përmes një postimi në “facebook”, ka njoftuar se neser do të mbajë konferencë për media lidhur me rastin.
Ai hedh akuza ndaj prokurorisë duke e akuzuar për neglizhencë në zbardhjen e hetimeve në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Avokati Gashi rikujtoi se ekspertiza shtesë e të njëjtit Institut Zviceran e Muajit Prill 2022, përveç se konfirmoi ekspertizën e vitit 2019 konstatoi se provat që janë dërguar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në këtë Institut kanë qenë krejtësisht të dëmtuara-manipuluara dhe përgjithësisht të papërdorshme.
“Prokurori zgjodhi rrugën e Heshtjes dhe për këtë arsye Prindërit e Astrit Deharit kanë kërkuar përjashtimin e Prokurorit Afrim Shefkiu nga Hetimi i Vrasjes së djalit të tyre Astrit Dehari”, ka shkruar Gashi.
Avokati po ashtu tha se Dehari është goditur me boks hekuri në ballë.
“Prokurorit të Rastit i janë bërë dhjetëra kërkesa në të cilat ai nuk është përgjigjur asnjëherë dhe njëra prej tyre është që të kerkojë sqarime nga ekspertet e mjekësisë ligjore në Prishtinë lidhur me plagët e shkaktuara tek Astrit Dehari në ballë e që janë në forma sferike-rrumbullakëta dhe që kanë largësi e diametër të njëjtë dhe sipas te gjitha rrethanave janë shkaktuar me goditje me boks të hekurit”, ka shkruar ai.
/a.r