Kalimi ilegal i shumë shqiptarëve nga Shqipëria drejt Anglisë ka vënë në lëvizje dhe policinë shqiptare e cila ka nisur një hetim të përgjithshëm.
Por pavarësisht se prej muajsh në rrjetin social Tik Tok qarkullojnë video shqiptarësh me zë e figurë që reklamojnë këtë biznes të paligjshëm duke publikuar të dhëna konkrete në lidhje me pagesat, vendqëndrimet e detaje të tjera policia shqiptare nuk ka celur një hetim për to. Pavarësisht se rrjeti i kontrabanduesve shqiptarë dalin hapur policia shqiptare i ka varur hetimet vetëm te të dhënat e siguruara nga Britania.
Në tik tok gjenden mbi 20 adresa qe në mënyrë periodike postojnë video me shqiptarë duke lundruar drejt Anglisë me gomone siç janë Calais Dover, Baca, Shqiptari official, Rrugë për Angli, Gomone 4000 etj, të cilët vijojnë aktivitetin të pa shqetësuar nga policia shqiptare. I kontaktuar nga Top Channel rrjeti social Tik Tok tha se e ndalon publikimin e të tilla postimeve me sfond të pastër kriminal.
Transporti i shqiptarëve nis nga Shqipëria me destinacion Brukselin në Belgjikë, për të shkuar më pas në Francë, nga ku kalojnë me gomone kanalin anglez për të, mbërritur në destinacionin final që është Anglia./m.j