Kongresi i ardhshëm i Partisë Socialiste, i cili do të zhvillojë punimet më 19 mars, nuk do të ketë asnjë surprizë për sa i përket faktit se për kreun e partisë më të madhe në vend do të ketë zgjedhje apo jo. Edhe pse tashmë për këtë post kanë shpallur kandidaturën e tyre dy prej deputetëve, Ben Blushi, një deputet me përvojë dhe kontribute në radhët e PA dhe nga ana tjetër, Eduard Ndocaj, deputet i ri i ardhur në radhët e Partisë Kristiandemokrate. Po si i komenton një prej senatorëve të vjetër të Partisë Socialiste, njëherësh dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare, Servet Pëllumbi, debatet e brendshme brenda së majtës pikërisht për këtë çështje, rimandatimin e Edi Ramës në krye të PS-së apo realizimin e një procesi zgjedhor për këtë post?
Profesor Pëllumbi, i kontaktuar nga gazeta “Shqip”, konfirmon se në kongresin e ardhshëm nuk do të ketë asnjë surprizë që mund të sjellë ndoshta një kryetar të ri të partisë dhe e shikon Partinë Socialiste më të fortë se kurrë, çka sipas tij po e demonstron edhe në qeverisjen e vendit. Ai shprehet që për kreun aktual duhet të ketë rimandatim, surpriza të tjera sipas tij do ta dëmtonin të majtën.
“Nuk besoj të ketë surpriza, pasi ato, në rastin konkret, veçse e demontojnë partinë dhe mendoj që në PS ka forca që mënjanojnë këta faktorë dëmtues. Unë e shikoj në shtratin e forcimit të mëtejshëm Partinë Socialiste”, thotë senatori i PS-së.
Më tej, Pëllumbi thekson se demokracia e brendshme brenda partisë ka rëndësinë e saj, por çdo gjë duke zbatuar statutin e partisë.
“Unë i shikoj zgjedhjet në bazë të statutit, jo jashtë tij, por edhe të interesave të momentit për qeverisjen dhe për Partinë Socialiste. Zhurma për kandidime të tjera nuk më emocionon fare. Ka të tjerë prioritete PS, sigurisht që demokracia e brendshme në parti ka rëndësinë e vet, por tashmë ka të tjera prioritete dhe çdo gjë duhet parë në përputhje me to dhe jo thjesht për të parë germën e demokracisë”, shprehet profesor Pëllumbi.