Teksa në Shqipëri diskutohet nëse ish-presidenti Ilir Meta ka qenë apo jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, një tjetër çështje që po komentohet gjerësisht është raporti mes kreut të Partisë së Lirisë dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, raport i cili u ka mbijetuar krisjeve historike.
I ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV, avokati i njohur Idajet Beqiri ka rrëfyer bisedën që ka bërë me Fatos Nanon në burgun e Bënçës, ku ky i fundit i ka konfirmuar faktin se Ilir Metën në PS e ka sjellë Sali Berisha. Idajet Beqiri shprehet se Fatos Nano i tha hollësi se Meta ishte dora e Berishës në PS dhe se e dinte shumë mirë që Ilir Metën e kishte kundërshtar, pra e kishte Saliun brenda në partisë Socialiste.
“Në 1995 unë jam arrestuar. U bë një mbledhje e madhe për kodin zgjedhor dhe unë thashë që me kodin zgjedhor që ka përgatitur Berisha për zgjedhjet e 1996 ai i fiton në tavolinë, por të gjitha sondazhet në atë kohë nxirrnin fitues partinë socialiste. Në atë mbledhje u ngrit Tritan Shehu dhe më sulmoi, pas 3 ditëve mua më merr ne telefon Ilir Meta dhe më thotë do pimë kafe te Karlsbergu, shkoj dhe e takoj atje Metën, i cili ishte me Kastriot Islamin.
Meta më tha që është e sigurt që ne vijmë në pushtet dhe tha ti e di që do të bëjmë koalicion dhe po të them një sekret që do të merrni Ministrinë e Brendshme dhe ti do jesh ministër i brendshëm. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet me tha por deri në 1997 do jetë Berisha president dhe ai mund të shpërndajë parlamentin. Meta më tha ti që do jesh ministër i brendshëm dhe çfarë do të bësh për këtë gjë. I thashë Metës që Berishës do t’i heq të gjithë bodigardët. Ok më tha Meta por nuk i heqim dot dekretin.
Ok i thashë por do të marr tre mjekë psikiatër për të bërë raport për gjendjen e presidentit dhe nëse ai do shpallë dekretin, do kem raportin mjekësor për të. 1 javë pasi i thashë Metës këtë, mua Berisha më arrestoi. Isha në burgun 313, m’u bë gjyqi dhe më çuan në burgun e Bënçës ku ishte edhe Fatos Nano dhe atje kam bërë një bisedë shumë të gjatë me të dhe i tregova historinë me Metën dhe Berishës.
Nano ma pranoi dhe ma shpjegoi me hollësi që Metën në PS e ka sjellë Berisha. Nuk e them kot sepse Nano është gjallë dhe mund të ma kundërshtojë por nuk ma kundërshton dot pasi kam shënimet. Nano ma tha që Meta është dora e Berishës 100%. Nano e dinte shumë mirë që Ilir Metën e kishte kundërshtar, pra e kishte Saliun brenda në PS”, u shpreh Idajet Beqiri.
g.kosovari