Një anestezist 52-vjeçar është arrestuar nga karabinierët, me akuzën se ka abuzuar me një grua, më konkretisht një infermiere nga Como, pasi e kishte droguar më parë.
Akti i rëndë daton më 1 korrik dhe dyshohet se ka ndodhur në shtëpinë e profesionistit në Saronno, në provincën e Vareses. Në burg, në pritje të marrjes në pyetje është Andrea Carlo Pizzi, shef i njësisë së anestezisë dhe reanimacionit të klinikës “Villa Aprica” në Como, por edhe konsulent për disa praktika mjekësore dhe një ordinancë private në Saronno.
Spitali në kryeqendrën Lariane ku punon doktori nuk është i përfshirë në asnjë mënyrë në episodin e raportuar.
Hetimet nisën pasi u raportua për viktimën e dyshuar, një infermiere nga Como e cila nuk është kolege e mjekut. Gruaja shpjegoi se ishte droguar dhe më pas abuzuar nga 52-vjeçari mbrëmjen e 1 korrikut.
Infermierja i ka dorëzuar gjithashtu karabinierëve të Turates një regjistrim të një telefonate në të cilën vetë Pizzi konfirmonte atë që ndodhi në shtëpinë e tij, duke pranuar se i kishte dhënë një qetësues dhe më pas kishte abuzuar me të.
Mjeku gjatë marrjes në pyetje e ka mohuar episodin e dhunës, duke thënë se me infermieren kanë qenë në një marrëdhënie në të kaluarën.
“Kjo është një situatë që për mendimin tim do të duhet të sqarohet me një shtesë hetimi pasi nuk është ende e qartë se si kanë ndodhur faktet”, tha avokati i tij.
Mbrëmjen e 1 korrikut, gruaja pranoi të shkonte në shtëpinë e tij, por siç ka raportuar për karabinierët, nuk do të kujtonte asgjë nga orët në vijim, të cilat do t’i rindërtonte më pas në telefonatën që regjistroi me Pizzin. Gjyqtarja e hetimeve paraprake ka firmosur urdhrin e arrestit me burg për akuzën e dhunës së rëndë seksuale./m.j