Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur të martën sanksione edhe ndaj të dashurës së supozuar të Presidentit rus, Vladimir Putin. Këto masa janë pjesë e përpjekjes së SHBA-ve për të ndëshkuar Kremlinin dhe elitat ruse për pushtimin e Ukrainës.
Sipas raportimit të mediave ndërkombëtare, Alina Maratovna Kabaeva, e cila ka pasur lidhje dashurie me liderin rus, u sanksionua “për të qenët ose për mbajtjen e pozicionit të liderit, zyrtarit, zyrtarit të lartë ekzekutiv ose anëtarit të bordit të drejtorëve të Qeverisë së Federatës Ruse”, thuhej në një deklaratë nga Departamenti i Thesarit.
Kjo deklaratë thekson se 39-vjeçarja Kabaeva ka qenë në “një marrëdhënie të ngushtë me Putinin”. Ajo është një ish-anëtare e Dumës Shtetërore “dhe është drejtuesja aktuale e Grupit të Medias Kombëtare, një perandori pro-Kremlinit e televizionit, radios dhe organizatave të shtypit”.
Në prill, Ëall Street Journal raportoi se sanksionimi i Kabaevës ishte në shqyrtim nga SHBA, por kishte shqetësime se një veprim i tillë do të nxiste tensionet duke pasur parasysh afërsinë e saj me Putinin.
Kabaeva ishte sanksionuar më parë nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar.
Përveç Kabaevës, Departamenti i Thesarit njoftoi sanksione kundër një numri oligarkësh të tjerë, një kompanie të madhe të prodhimit të çelikut dhe dy prej filialeve të saj, si dhe një institucion financiar të akuzuar për drejtimin e një operacioni evazioni sanksionesh dhe drejtorit të saj të përgjithshëm.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi sanksione ndaj tre oligarkëve, një kompanie shtetërore ruse të mbikëqyrur nga Ministria e Transportit, “katër individëve dhe një enti që vepronin në mënyrë të paligjshme në territorin e Ukrainës në bashkëpunim me Rusinë”.
SHBA po vendos gjithashtu kufizime vizash për 893 zyrtarë të Federatës Ruse dhe “31 zyrtarë të qeverisë së huaj që kanë vepruar për të mbështetur aneksimin e supozuar të Rusisë të rajonit të Krimesë të Ukrainës dhe në këtë mënyrë kërcënuan ose shkelën sovranitetin e Ukrainës”, tha Blinken.
Shumë prej masave të shpallura nga SHBA-të shënjestrojnë oligarkët të cilët më parë ishin sanksionuar nga aleatë si Mbretëria e Bashkuar, Australia, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian. Ato vijnë pasi lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e gjashtë.
/e.d