Nga Agron Gjekmarkaj
Njëri prej miqve të mi më të dashur Bardhyl Londo nuk është më mes nesh. Aq serioz në mendime dhe në të shkruar sa dikush që nuk e njihte mund të besonte se ai qeshte pakëz kur në fakt e kishte shijen e humorit tejet të theksuar.
Me yshtjen e tij të fisme prej vitesh, në verë sidomos, po ndonjëherë edhe në stinë të tjera, fillova një rubrike satirike titujt e së cilës dominoheshin nga togfjalëshi “kronikë e verës” për të trajtuar fenomene e emra të ditës nën spikamën e gazit.
Pa e pyetur e bëra krypersonazh të tyre, një gjykatës të epërm, nëse unë isha scribi përgjatë udhëtimit tonë në të perditëshmen!?!
Në merak, disi rrija derisa ditën tjetër subjekti botohej print e telefoni binte dhe në anë të tij dëgjohej hukama bujare e poetit! I bindur që do ma marrë për ters kaq shumë seriozitet me poezinë e tij, po i themi se ende je në kronikë në te njëjtin rol se vetë na ke thënë që:
VETEM ITAKA MBETET
Kanë ndërruar anijet. S’janë më si të Odiseut.
Kanë ndërruar dashuritë. S’janë më si
të Manelaut.
Gratë ndryshe janë. S’i ngjajnë më Helenes.
Dhe prapë do të ndërrojnë në shekujt
përpararendës.
Vetëm Itaka mbetet.
Itaka te fëmija Itaka te gjeniu
ajo, e përjetshmja,
ëndrra
dashuria,
jeta,
vdekja:
Itaka-vete njeriu.
Një natë vere me Ismail e Helena Kadarenë. Si gjithmonë të dashura bisedat me ta dhe pse mjeshtri nganjëherë duket sikur vetëm e sodit botën pasi ka thënë gjithçka për thelbin e saj për të rikonfirmuar vetveten përmes heshtjes mbi të.
Duke rrëmuar diku, dora me kapi një bllok ngjyrë blu, me kuadrate plot me poezi diku të periudhës 1991-1993 të shkruara nga Edmond Rushaj, djaloshi rebel e imcak nga Bajza e Kastratit i lindur për të bërë poetin e që shpejt bëri emigrantin në Amerikë përmes një a disa profesionesh, nuk e di, i sigurt që poeti aty është mes tyre bashkëjetues pa nevojë certifikimi me ndonjë diplomë qoftë edhe dafinash.
Në Tiranë bën vapë e madhe atë që malësoret e thërrasin sushë. Por ju siç thotë Italo Calvino nuk i vlerësoni shtatë apo shtatëdhjetë e shtatë mrekullitë e një qyteti, por përgjigjen që ai i jep pyetjes suaj. Nuk e di sa kryeqyteti jua kthen.
Sheh njerëz që e sfidojnë zhegun me vetëdijen, që ky është halli më i vogël. Çdo ditë e natë bombardohen me lajme të cilat kanë qellim t’jua relativizojnë hallet e tyre.
Miku im hebre është shfaqur prapë në qytet. Disa mendonin që ishte fshehur përfundimisht nga frikërat e shekullit dhe koprracllëku i vet, por jo befas aty këtu qet kokën duke krypur mend qysh mund të shkojnë punërat mbroth e vatani të gjejë begati.
Me ç’thonë në jugun e skajshëm sezoni veror duket i vakët. Njerëzia me aq lek sa duhen aty për 24 orë kalon një javë gjetkë!
Unë e kam futur kokën në Qerret ca ditë, ku edhe këtu vaniteti njerëzor gjen format e veta të shprehjes, herë hapur e herë i kamufluar. Edhe Salianji ka ikur prej ditësh, nuk dihet ku e ka mbajtur kalin. Po shyqyr, se ka një gojë ai që më mirë të rrasësh kokën në qenef se të hysh në të tijen. Pu pu pu se ç’ thotë për të ngratin Lul.
Si do jetë Shqipëria nesër duket tek fëmijët sot! Shenjat nuk janë aq entuziaste. Qerratenjtë e vegjël flasin vetëm për pasuri të prindërve, vila a pushtet përmes të cilave duan të vendosin hierakinë dhe imponimin social sot mes tyre.
Dy prej tyre me tërhoqën vëmendjen për sigurinë e tyre me shumë se për të folurën me th.
Teksa ziheshin me të rritur për një bela fushë futbolli. Një burrë për ta larguar me lezet i thotë ik nga këtu se të bërtet deputeti!! Ai kryelartë ja pret: E “kuth e than thythën “( e kishte fjalën për një gjë tjetër) për deputetin. Fjalë ari, fjalë me mend mendova, e kush? Askush këtu, të gjitha i ka në dorë ai.
Babua ka hapur luftë të madhe me Metën. Ky i thotë spiun, majmun, sapun, ai i përgjigjet shpifës, zullap, trap! Një zot e di si do vejë kjo mesele.
Zjarret ndizen gjithandej dashtë zoti nuk i djegin karrigen Nikos se do jetë trishtim i madh. Niko është i vetmi që shkarkon gaz mbi fytyrën e thartuar të Tezes. Ja sot në këto kohë të zymta kur lajme të serta ja behin në kufijtë verior, shef shtabi të ushtrisë nuk vë një me mbiemër ariu, bisha, ujku, por as më pak e as më shumë po një me mbiemër Kingji. Nejse urime e me krahë të lehtë gjeneralit me mbiemër kaq paqesor, po kjo s’do të thotë që ushtria jonë do të sillet si dele në rast furie. Goran thonë është po ishalla nga ata që e quajnë atdhe të vërtetë Shqipërinë e nuk kërkon pasaportë bullgare. Njerëzit vriten ngado e me shumicë si pa te keq, në rrugë a në plazh. Edhe sot një fëmijë në plazhin e Himarës. Sa dhimbje!!’
Shyqyr që erdhi gushti e u mbyll parlamenti. Nuk durohej me pamja e Ulsi Manjës, gjëmës në fakt. Të këpuste shpirtin, aty si kukudh. Harrojeni pamjen e tij shend e verë, gazin plot buçimë e llaftar, gojën vesh me vesh dhe fjalët plot poezi. Sytë si bëjnë më dritë. Errësira e ka pllakosur. Bela iku, u ngjit lart në krahun e djathtë të Babos si shën Pjetri. Ulsiu mbet në tokë! Më mirë të zbresë në sallë nga shtatori e të shuaj mallin duke kqyrur përballë e duke kqyrur filxhan me Shalsin.
I vetmi që nisi pushimet i lumtur është Tao, i cili paqe e gjumë në atë foto historike gjet në kraharorin e Babos, në ahengun që PS organizoi në sheshin Skënderbej. Madje desh të thithte edhe pak sisë po Babo e shtyu me aq se gjithë qumështin aty e kishte rrufitur Damua.
Ministrushet tundeshin lehtë , më lehte se flladi , në një kërcim të pa tepri siç ditë e selametit kërkonte.
Presidenti i ri Bajram ose Bake xhani siç e thërret Babua nuk duket rob i keq. Një ditë do ti vete për kafe e një raki Skrapari. I duhet ca kohë sa të besojë që është ai i pari në rang, por çdo punë do ditët e veta. Babon e sheh në sy me mirënjohje. Me datë 28 për hatër të tij doli edhe në shesh si militant. Tani bisedat bëhen me celular dhe ndonjë duhet ti mësoje Bakes që nuk është e nevojshme të pozojë me receptor në dorë.
Dreka me zevendës liderin Mulin më shijoji shumë, megjithëse ai pat më pas ca të prera barku që e penguan ndoca ditë të merrte pjesë në revolucion. Ushëtimat e atyre gotave me verë safi që ndesheshin, do të dëgjohen në vjeshtë për të lënë pa gojë e mend të madh e të vogël. E në fund ashtu siç Henry Miller na kujton, udhëtoni gjatë kësaj vere sepse “destinacioni juaj nuk është kurrë një vend, por një mënyrë e re për të parë gjërat”.
O Gjeka Markajve, të duket vehtja si “La Fonteni” ?
Je ba njesoj si Lutfiq Dervishoski….
A nuk e kupton(i) që ju të dyve, nuk ju lexon kërkush ?
Janë shkrime arkaike, për popullsi shqiptare, të viteve ‘50…..
Jeni të dalë mode.
Ju ka dalë boja.
Mund të keni formim, por e keni të montuar së prapthi në trurin e vogël, e si rrjedhojë, produkti juaj intelektual, është për fshatarët e para luftës dytë botërore, kur mblidheshin familja rreth zjarrit në votër, pa drita, vetëm me kandil, dhe e vetmja mënyrë për të shtyrë netët e gjata të dimrit, ishte tregimi i kësisoj rrefenjave me bosht dhe ide por për një nivel kulturor të tejkaluar tashmë nga shoqeria jonë.
Kaq për sot.
Reflektimi, sidomos nga ju o Gjekë, do të ishte i vlerësueshëm,, mbasi dihet që përveç krahëve tuaja, nuk keni të ardhura të tjera…
Tung.