Djali i kryetarit të Nisma-s Socialdemokrat Fatmir Limaj, Durim Limaj, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në veriun e Kosovës. Me anë të një postimi në Facebook, Limaj shkruan se sa herë që Kosova ka nevojë, ai dhe babai i tij do të jenë të gatshëm ta japin jetën.
“Sa herë ka nevojë ky vend, gjithmonë të gatshëm për të dhënë jetën për të, gjeneratë pas gjenerate”, shkruan ai.
Veriu i Kosovës është përfshirë nga tensionet pasi qeveria e Kosovës paralajmëroi se duke nisur nga 1 gushti qytetarët serb që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, do të mund të riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës).
Po ashtu, nga sot u tha se të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia. Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për shtetasit e Kosovës prej 11 vjetësh. Pas tensioneve dhe kërkesës së SHBA, Kurti vendosi shtyrjen me një muaj të këtij vendimi.