Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur qarkullimin e udhëtarëve dhe automjeteve ne pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të bllokadave të vendosura nga serbet.
Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë nisur vendosjen e bllokadave në rrugët që çojnë drejt këtyre dy pikëkalimeve kufitare, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, por edhe në pjesë të tjera në veri.
“Njoftohen të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Protesta e serbëve lokalë vjen një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.
Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë.
Ndërkaq, po nga 1 gushti do të nisë afati për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia. Qytetarët në Kosovë, që duan t’i riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS (Republika e Kosovës) do të kenë afat që ta bëjnë një gjë të tillë deri më 30 shtator.
Në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, besohet se qarkullojnë 10.000 makina me targa serbe, të tilla si KM (Mitrovicë e Kosovës), PZ (Prizren), UR (Ferizaj) e të ngjashme./REL
g.kosovari