Nga Lorenc Vangjeli
Sali Berisha dhe Aleksandër Meksi. Rexhep Meidani dhe Fatos Nano. Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Sali Berisha. Bujar Nishani, Ilir Meta dhe Edi Rama. Të gjithë këta burra që kanë një mori të frikshme bëmash dhe gjëmash në jetën publike, punë të mira dhe të liga në CV-të e tyre, duke qenë herë krëhëri që duhet të krihte leshelinë e politikës dhe herë lëmshi që duhej krehur nga politika, që janë dashur dhe urryer nga shqiptarët ndër vite, pra, gjithë këta burra i bën bashkë një veçanti: raporti i presidentit me kryeministrin e vendit. Kush kujton të shkuarën, do të listonte lehtësisht një sagë të gjatë armiqësish reciproke, një garë shpesh qesharake se cili nga ta ishte më i rëndësishëm se tjetri dhe një tentativë të vazhdueshme për të konsideruar sukses vetjak, vetëm dështimin e tjetrit. Shumëkush mund të kujtonte se shkopinjtë vetjakë në rrotat e tjetrit janë bërë një turrë e lartë drush, më e lartë se çdo piedestal epërsie që secili pretendonte për veten në përballje me tjetrin; një turrë e mjaftë për të djegur shpresën se pushteti, i ndan si qëllim dhe nuk i bashkon dot si mjet cdo dy shqiptarë.
Në të gjithë këtë rregullsi anormale spikat mbi të gjitha armiqësia proverbiale mes presidentit që iku dhe kryeministrit që duket se do të rivijë sërish edhe për një mandat tjetër. Ilir Meta dhe Edi Rama janë dyshja më tipike e dy skajeve të një drejtëze, e cila përkundër çdo bindjeje matematike, janë takuar shpesh në një pikë dhe janë ndarë po aq shpesh nga distanca të pafundme. Janë dashur dhe janë urryer, kanë bashkëpunuar dhe kanë punuar kundër njëri-tjetrit, kanë ndihmuar që tjetri të ngjitet lart dhe kanë bërë çmos ta zhysin tjetrin sa më thellë, kanë fituar së bashku pushtet dhe janë ndarë nga pushteti. Totalisht të ndryshëm në tipologji nga njëri-tjetri, ata janë bashkuar në ambicjen pa cak për të ushtruar pushtet. Kanë ngrënë ngjala të pjekura kur ju është dashur dhe i kanë serivirur njëri-tjetrit hala me helm atëherë kur kanë dashur ta bëjnë.
Rama e Meta kanë arritur disa herë në pikën që dukej e pakthyeshme në raportet politike dhe vetjake, por, alkimistë të pakrahasueshëm të shndërrimit të plumbit në flori, kanë bërë abrakadabrën e pabesueshme të ribashkimit po me njëri-tjetrin.
Teorikisht të dy të majtë dhe socialistë, të bindur tek vetja dhe të mbushur me veten, ata kanë arritur të vetëbinden për epërsinë vetjake dhe kanë gjykuar se rënia e njërit është ngjitja e tjetrit dhe se kur njëri arrin sukses, tjetri duhet të llogarisë disfatën. Një vërtetim aksiomatik i bindjes se lufta më e egër, është ajo që konsumohet mes llojit.
Të paktën historia e dy dekadave të fundit në Shqipëri mund të shpjegohet vetëm nëse kuptohen marrëdhëniet plot dritëhije mes Ramës dhe Metës. Dhe ky është momenti që përkundër cdo bindjeje fillestare, për shkak të rrethanave mund të thuhet se pikërisht armiqësia e tyre që ka arritur sërish një kulm drithërues, në fakt është fati i madh i demokracisë shqiptare. E kundërta do të ishte fatalitet. Vërtetësia e këtij pohimi bëhet në mënyrë të thjeshtë dhe për të, ndihmon matematika elementare, e cila vërtetimin e pohimeve të tilla i bën nëpërmjet supozimit të së përkundërtës: pra, nëse supozohet se ata të dy do të ishin miq…
Kronologjia shpjegon me pak fjalë. Në zgjedhjet e 2005-ës që rikthyen Doktorin në pushtet, vota u kushtëzua nga fraktura e votës së majtë. Socialistët e Nanos dhe LSI-ja e sapokrijuar e Metës, plus edhe strategjia budallaqe e ish-kryeministrit të vetëkënaqur si dhëndër i ri, i dha mundësi pakicës së Doktorit të bëhej shumicë dhe të qeveriste; u bë shkaku i vetëm që i treti të festonte sepse dy të majtë u grinden për vdekje. Në fakt “ndërroi jetë” vetëm Nano dhe shpresat e socialistëve të thjeshtë që mendonin se i Përzëni me kallashnikovë në 97-ën, i përbuzuri si primitiv nga Perëndimi në 98-ën, e kishte të pamundur të kthehej me votë. Ikja e Nanos dhe dalja në rreshtin e parë të skenës së Ramës, krijoi një tjetër sinergji të së majtës. Në zgjedhjet lokale të 2007-ës, Edi Rama u rikonfirmua si kryetar bashkie edhe për shkak të votave të Metës dhe të dy, dukeshin më në fund si premtimi i vetëm për të rrëzuar Doktorin. Dhe do ta bënin nëse pak muaj mbas triumfit në zgjedhje, ata nuk do të ndaheshin nëse Rama nuk do të refuzonte të bënte P. V. nënkryetar të tij. Ashtu siç i kishte dhënë fjalën Rama Metës dhe ashtu siç i kishte premtuar Meta bashkëpunëtorit të tij P. V.
Rama e Meta u bënë bashkë për pak javë mbas shpërthimit tragjik në Gërdec, por u ndanë sërish mbas ndryshimeve kontraverse kushtetuese të prillit 2008, kur Rama dhe Berisha firmosën së bastin: Nuk ka vënd të lirë për Metën në politikë, humbësi ikën, fituesi i merr të gjitha!
Një vit më pas, negociata të fshehta që synonin bashkimin e të majtës në një front, bashkë me një segment domethënës të së djathtës që e drejtonte i rikthyeri i bujshëm atë kohë, Aleksandër Meksi, dështoi fiks për shkak të këtij basti. Çka i shkaktoi socialistëve një katër vjeçar tjetër opozite drithëruese kur nisi të krijohej bindja: Sali Berisha nuk mundet me votë! Kulmi i tensioneve arriti në janar 2011, kur socialistët besuan se do të vrisnin kryeministrin Berisha duke qëlluar zëvendësin e tij Meta. Por vetëm një vit më pas, në mënyrë të pabesueshme, Rama e Meta kaluan sërish Rubikonin dhe në fshehtësi, negociuan me njëri-tjetrin për t’u bërë sërish bashkë për të rrëzuar Berishën. Ishte fiks koha kur gjykatësi Dvorani mendonte se po vinte drejtësi, por firmoste për pafajësinë e Metës në Gjykatën e Lartë.
U shndërruan në aleatë në 2013-ën dhe dukej se asgjë tjetër nuk mund të thyente më të majtën e bashkuar në familjen e saj natyrale. Me një milion vota shqiptarësh që i quanin shuplaka, ata ndanë pushtet duke e lënë PD-në në pikën e saj më të ulët historike të deri atëhershme. Berisha iku dhe PD fitoi një kryetar të ri që siç do të dëshmonte shumë shpejt, nuk kishte axhendë politike, por ide tërësisht vetjake ekonomike. I dobët dhe pa vizion, me fatin që i kishte mbetur në derë dhe me dy kundërshtarë të frikshëm përballë, Lulzim Basha u soll si një bimë sere, pa asnjë shans që t’i rezistonte kimës së ashpër politike të Tiranës, aty ku asnjëherë ajo që dukej, nuk ishte e njëjta gjë në thelb.
Kështu deri në momentin kur Rama nisi ta shihte Metën ndryshe; nga balona që e kishte ngjitur lart, në peshën nga e cila duhej të clirohej që të mos zbriste poshtë ambicjen e tij të hershme për të qeverisur vetëm.
Më pak se një vit nga triumfi spektakolar i 2013-ës, në marsin e vitit të ardhshëm, atëherë kur Meta festonte paqen në jetën e tij të trazuar dhe ditëlindjen e tij të 45-të, papritur e pa veten nën një rrebesh sulmesh anonime që paranoja e tij i vuri emrin e Ramës si frymëzues. Reforma në drejtësi, një inisiativë që e nisën po të dy, ishte kupa që u mbush me marazin e njërit ndaj tjetrit. Mosbesimi i thellë i Metës dhe mbi të gjitha, barra e padurueshme e servilëve që ai kishte mbledhur rreth vetes, ku askush nuk spikaste në servilizëm mbi tjetrin, e thyen kupën e tyre.
Më pas ndodhën me rradhë një seri incidentesh. Akuza se Meta donte të vriste dy deputetë të Kuvendit, pastaj akuzat për CEZ-in dhe pastaj, zbulimi i Ramës, marrë në formë këshille nga njerëz me pushtet në hije: Ke edhe një zgjidhje tjetër! Dhe mes Metës të ashpër dhe kryeneç që i sillej si i barabartë, karakteri i dobët i Bashës, ishte si një lojë kazinoje, ku pavarësisht sesi hidhen zarat, shtëpia, domethënëse Rama, fiton gjithmonë.
Rama e Basha zbuluan njëri-tjetrin, së paku në shtatorin e 2014-ës dhe ideja e kapërcimit të ylberit për një koalicion të gjerë, nuk dukej më utopi. Utopia u duk se gati u bë realitet në 2017-ën, kur Rama kërkonte rikonfirmimin e koalicionit me Metën dhe Basha kishte hyrë në serën e tij që e quante çadër e lirisë. Atëherë Meta bëri gabimin e tij madhështor: I besoi paranojës dhe jo llogarisë. Ju nënshtrua ndjenjës së lënduar dhe jo mendjes së ftohtë. Ju dorëzua ngutit për të vepruar dhe jo durimit që këshillonte se nëse i duhej të gatuante pjatën e hakmarrjes për Ramën, duhet ta servrte atë të ftohtë akull. Meta hyri vetëm në zgjedhje duke qenë President i sapozgjedhur i Republikës duke parë se alkimia misterioze e Tiranës kishte funksionuar sërish: ai kishte përballë vetes një aleancë fluide mes Ramës që arsyetonte dhe Bashës që shijonte tortën e rreme të pushtetit. Ruajti pak a shumë kuotat e 2-13-ës, pesëfishoi numrin e deputetëve në krahasim me 2009-ën, por tani ata nuk i hynin fare në punë kur rriti partinë, por humbi raportin e saj me pushtetin.
I tradhëtuar nga opozita, me instiktin që i thoshte në vesh se Bashës nuk i duhej besuar edhe kur bënte dhurata, ai hyri që në vitin e dytë të presidencës një lufte shpesh të kotë me Ramën, çka ishte arsyeja kryesore që betejat e tij relativizoheshin edhe kur kishte të drejtë. Ilir Meta u bë opozita reale e vendit të tradhëtuar nga ligësia, padija dhe egoizmi i opozitës normale që dogji mandatet jo vetëm nga padija, jo vetëm nga ligësia dhe egoizmi, por për shumë më shumë se kaq: jo për të presuar Edi Ramën, por për të shantazhuar amerikanët që tashmë kishin vënë në rreth të kuq edhe Berishën, të shpallur Non Grata më pas, si bedel i Lulit, edhe Bashën, i cili kishte mirë vetëm punët e tij vetjake.
Në pesë vjetët e presidencës Meta bëri sërish të njëjtën tipologji gabimesh edhe në rastet kur kishte të drejtë në përballje me Ramën. Shpesh prehja të çon shumë më larg se vrapi në drejtimin e gabuar. Dhe Meta jo rrallë vraponte në drejtim të paditur dhe drejt njerëzve të paditur. Ai humbi në finalen e lojërave pikërisht sepse nuk përdori pikën e tij më të fortë, që e predikonte si prift dhe e këshillonte si imam, qetësinë dhe dashurinë. Meta u bë i paduruar dhe u ysht vetëm nga urrejtja.
Kulmi tjetër i armiqësisë reciproke mes Ramës dhe Metës u arrit në prag të zgjedhjeve të vitit të shkuar, kur kosoret, jataganët dhe revolucioni u bënë pjesë e gjuhës jopresidenciale të Metës, për të mbërritur në fatkeqësinë e rradhës të ish-presidentit që tashmë shenjon me gisht Edi Ramën si fatkeqësi personale dhe publike. Konflikti për ekzistencën e një dosjeje të sigurimit të shtetit për Metën është pika e radhës në ujin ku mbyten të gjithë ata që harrojnë të djeshmen dhe jetojnë vetëm në të sotmen, sikur e sotmja të jetë dita e fundit e politikës. Pa kuptuar se kjo është thjesht një betejë e radhës, por nuk është lufta totale mes tyre, siç besojnë me zemër të thyer ata që duan Metën dhe siç ëndërrojnë me gjithë kraharor ata që u rreh zemra me ritmin e Ramës.
Ndaj edhe një herë si në kushtëzimin që vendos matematika politike. Le të supozohet se asnjë nga këto zigzake nuk do të kishin ndodhur. Supozohet se sinergjia e të majtës do të ishte solide duke nisur nga 2005-a dhe këtej. Supozohet se Rama e Meta do të ishin bashkë në të gjithë kohën. Atëherë asnjë nga këto trajektore që nuk i shpjegon dot vetëm interesi, por edhe letërsia dhe psikologjia, nuk do të ndodhte dhe e majta do të ishte në pushtet për një kohë të pacaktuar. Përballë të majtës së bashkuar, e djathta anemike e Doktorit të zemrës, nuk do të kishte asnjë shans real për të qenë alternativë pushteti. Mrekullitë ndodhin vetëm në përralla dhe përralla me Doktorin që fiton, nuk do të besohej as nga pacientët terminalë. Në një situatë të tillë do të vritej në mënyrë gati të pakthyeshme pluralizmi në vend dhe vetë demokracia do të ishte edhe më e dobët se brishtësia e saj prej adoleshenteje.
Shqipëria është shumë e madhe për t’u dukur “pjesa e vogël” që ndahet. Ndoshta vetëm pushteti është më i madh se vetë Shqipëria në hartën shpirtërore të protagonistëve të saj.
Dhe këtë të vërtetë të thjeshtë e dinë shumë mirë vetë ata të dy, Rama e Meta. Të dy ata kanë diplomë nga Universiteti i Zyrës Kryeministrore dhe kuptojnë atë që shumica dërmuese e njerëzve rreth tyre e duartrokasin, por nuk e kuptojnë pse e bëjnë. Dy njerëzit e ashpër të Tiranës nuk kanë kohë, nge dhe ngut që t’ju shpjegojnë atyre që hidhen në zjarr për ta, se mes tyre nuk ka asgjë personale, por gjithçka është politikë! Dhe se armiqësia dhe jo miqësia mes tyre, është ajo që ka nevojë të dëshpëruar Shqipëria: nevojën e dëshpëruar për një opozitë të fortë që do të ishte ndihma e vetme për të forcuar ndershmërisht qeverisjen e vendit. Të paktën sot.
Poker spiunësh në Shqipëri.
A ka ndonjë që nuk është spiun në këtë vënd ?
Skenderbeu, spiun i turqve.
Ismail Beu, spiun i turqve.
Ahmet Zogu, spiun i Serbit.
Enver Hoxha, spiun i,Zogut.
Mehmet Shehu, spiun amerikan.
Hysni Kapo, spiun UDB jugosllave
Ramiz Alia, spiun i KGB sovjetike
Sali Berisha, spiun UDB jugosllave,
Azem Hajdari, spiun i UDB jogosllave dhe i sigurimit,shqiptar.
Ilir Meta, spiun i sigurimit të shtetit dhe mendohet edhe spiun i zbulimit Rus.
Tritan Shehu, spiun grek dhe italian.
E plot, e plot të tjerë