Në rubrikën “Komenti i Ditës” në “Dritare TV”, gazetari Dritan Hila foli për një nga temat më të komentuara të momentit: përmendjen e Ilir Metës në dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Zoti Hila tha se arkivat e shtetit u plaçkitën dhe kjo ndodhi pikërisht nga figurat e larta të shtetit që kishin interes që këto dosje të zhdukeshin. Hila tha se sot ato gjenden të shpërndara dhe janë të paarkivuara.
“Ka qenë një moment kur u shpall demokracia që këto dosje ishin akoma të mirëruajtura. Dhe administrata e atëhershme kishte frikë që të fuste dosjet sepse sitemi ishte i tillë, i kryqëzuar, që nëse prekej njëra nga hallkat e tij, menjëherë vihej në lëvizje gjithë mekanizmi për të treguar se kush e kishte prekur. Në këtë moment shërbimet sekrete aleate kanë hyrë dhe kanë skanuar dhe kanë marrë gjithë arkivën e Sigurimit të Shtetit.
U morën ato dosje që nesër do kishin të bënin me fatet e vendit. Më vonë me ardhjen në pushtet të PD , shumë zëra thonë që edhe vetë zoti Berisha mori një kopje të kësaj arkive. Më pas kemi një plaçkitje të tyre. Njerëz që akuzohet se punonin në Sigurimin e Shtetit futën duart në to dhe siç u shpreh dhe Lubonja në një emisionim timin, u plaçkit regjistri themeltar madje dhe dosja e Lubonjës nuk u gjet në arkiva.
Pastaj situata erdhi duke degraduar derisa erdhëm në momentin që arkivat sot janë të shpërndara dhe të paregjistruara. Sot disa nga arkivat gjenden tek Autoriteti i Dosjeve, disa tek Arkivat e SHIK-ut dhe një pjesë tjetër në arkivat e Ministrisë së Brendshme.”, u shpreh Hila.