Për herë të parë Italia iu njeh të drejtën për të përfituar pension edhe për vitet e punës në Shqipëri.
Dy vendet kanë përfunduar negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet, që synon bashkimin e kontributeve shoqërore për shtetasit shqiptarë dhe italianë që kanë punuar në të dy vendet.
Nga marrëveshja përfitojnë rreth qindra mijëra emigrantë shqiptarë, të cilat kanë pritur për dekada të finalizohet një e drejtë e vonuar që për ta që prek dinjitetin njerëzor.
Në një intervistë për televizionin News 24 senatori italian Tommaso Nannicini, iniciatori i marrëveshjes shprehet se firma e tij në amendamentin për nisjen e procesit të njohjes faktike të pensioneve të shqiptarëve me kontribute pune lëvroi në buxhetin e shtetit italian 200 milion euro.
Por një kontribut të vyer ka edhe zonja Geri Ballo, nismëtare e peticionit “Pensioni është një e drejtë’ dhe aktiviste e diaspores shqiptare në Itali. Ndiqni intervistat e gazetares Aurora Golemi…
Zoti Nannicini faleminderit që pranuat ftesën për të folur për televizionin Neës24, është kënaqesi që t’ju kemi këtu sot!
Senator Nannicini: Ju falenderoj ju për ftesën, kënaqësia është e imja…
Senator Nannicini, kjo është vizita juaj e parë në Tirane?
Senator Nannicini: Kjo nuk është vizita ime e parë në Tiranë, prej kohësh kam në fokus çështjen e pensioneve, kam pasur mundësi të takoj disa herë anëtarë të Parlamentit shqiptar dhe zyrtarë të qeverisë shqiptare. Kjo e sotmja është një vizitë e veçantë, është një vizitë speciale pasi është takim zyrtar i dy delegacioneve për të finalizuar marrëveshjen e pensioneve që pritet prej shumë kohësh nga jo pak njerëz.
Parlamenti Italian ka përfshirë në projektbuxhetin për vitin 2022 amendamentin për nisjen e procesit të njohjes faktike të pensioneve të shqiptarëve me kontribute pune. Mund te na thoni diçka me shume ne lidhje me këtë, ne cilësinë e kryetarit te komisionit parlamentar për kontrollin e veprimtarive të institucioneve që menaxhojnë format e detyrueshme të sigurimeve shoqërore?
Senator Nannicini: Po, ai amendament është nënshkruar nga unë si nismëtar i këtij procesi, propozimi ishte gjithashtu imi fillimisht. Pikërisht për këtë marrëveshje është folur vazhdimisht mes dy vendeve tona, gjatë këtyrë viteve, por ja që nuk kishte rezultate për ta finalizuar. Ne menduam që ta fillonim diku tjetër zgjidhjen e kësaj çështje, pra duke identifikuar në radhë të parë, resurset financiare meqë ky problem, të gjeturit e resurseve, pra burimeve financiare ishte problemi kyç që ka bllokuar vijimësinë e bisedimeve dhe shtyrjen përpara të këtij procesi. Amendamenti vuri në dispozicion resurset financiare dhe falë fondit që u lëvrua nga pala italiane nisi dhe procesi i negocimit. Sot ky proces arriti në një pikë vërtetë të rëndësishme.
Çfarë parashikon marrëveshja mbi njohjen e sistemeve të pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë? Italia historikisht ka qenë vendi me një numër të madh emigrantësh shqiptarë…
Senator Nannicini: Kjo marrëveshje i jep përgjigje shumë personave, shqiptarëve të Italisë, shqiptarëve që kanë punuar dhe kanë kontribuar në jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit por prek edhe ata italianë të cilët kanë punuar dhe po punojnë në Shqipëri dhe që nuk u njihen kontributet e derdhura në secilin shtet. Kjo pasi siç dihet nesë nuk ke punuar minimalisht 15 vite në Shqipëri dhe 20 vite në Itali, nuk të njihet pensioni pavarësisht kontributeve që ke derdhur.
Sa emigrantë shqiptarë do të perfitojnë nga kjo marrëveshje? Si do të njihen periudhat e kontributeve?
Senatori Nannicini: Nuk kemi të dhëna të detajuara, por bëhet fjalë për qindra dhe mijëra vetë që kanë punuar në Itali dhe nuk kanë mundësi të marrin kontributet. Sapo marrëveshja të hyjë në fuqi, sepse ka nevojë dhe për një fazë të dytë, pasi qeveritë të firmosin marrëveshjen zyrtarisht, tani kemi mbyllur tekstin, për të cilin është rënë dakort nga dy delegacionet që duhet të bashkëpunonin, tani teksti ka përfunduar. Duhet të firmoset nga dy qeveritë dhe të ratifikohet nga parlamentet, por kur të jetë zyrtare, do të duhet dhe një marrëveshje administrative nga dy institutet për sigurimet shoqërorë të dy vendeve, për t’i bërë operative këto të drejta. Por do të jetë shumë e thjeshtë. Do të mjaftojë të bëhet kërkesë për pension në një nga dy vendet, dhe automatikisht do të njihen kontributet e paguara në një shtet apo tjetrin.
Sa është fondi i vendosur në dispozicion?
Senatori Nannicini: Fondi do të jetë 200 milion euro në dhjetë vitet e ardhshme. Por nuk është një problem, nuk është se këto të drejta janë të varura nga këto resurse. Padyshim që duheshin disa fonde pasi nuk do të ishte e mundur të firmosej ky bashkëpunim, por ky është një parashikim i qeverisë italiane. Nëse do të ketë më shumë persona, më shumë qytetarë shqiptarë që kërkojnë këto të drejta, këto të drejta njëherë pasi të firmoset do të duhet të respektohen përtej kësaj shume.
Siç jeni në dijeni ka një numër të konsiderueshëm italianësh që punojnë e jetojne në Shqipëri, sa qytetarë italianë do të përfitojne nga kjo marrëveshje?
Senatori Nannicini: Padyshim është një marrëveshje dypalëshe që u krijua nga dy vendet për të njohur të drejtat e të gjithë qytetarëve, qytetarëve shqiptarë që kanë paguar kontributet e tyre në Itali, apo të qytetarëve italianë që kanë paguar kontributet e tyre në Shqipëri. Ndaj bëhet dhe për qytetarët tanë, disa mijëra për momentin. Është e qartë që ka një shproporcion mes dy komuniteteve. Po kjo nuk do të thotë asgjë. Kishim disa të drejta që nuk njiheshin, ndaj ato tashmë duhet t’i njihen të gjithëve, si qytetarëve shqiptarë dhe atyre italianë. Pas ratifikimit të marrëveshjes më në fund do të mund t’i njihen të gjithëve këto të drejta. Padyshim kemi shumë punonjës autonomë apo sipërmarrës që kanë ardhur këtu në shumë sektorë, si të prodhimit, të turizmit, apo biznesit. Por nuk kemi të dhëna konkrete. Sigurisht që komuniteti është ende i vogël, por është gjithsesi prezent. Dimë nga ambasada italiane që ka disa mijëra qytetarë italianë, por nuk dimë më shumë.
Njerëzit që kanë punuar me djersë e ndershmëri për dekada te tera, e meritojnë këtë angazhim konkret te dy vendeve tona Çështja e pensioneve nuk është vetëm një e drejtë por edhe një çështje dinjiteti njerëzor. Jeni i këtij mendimi senator që është një e drejte e vonuar në këtë rast…
Senatori Nannicini: Nuk ka dyshim. Vjen shumë vonë kjo marrëveshje, do të duhet të kishte ardhur më herët. Ka patur një angazhim të rëndësishëm nga komuniteti shqiptar në Itali që ka shtyrë për një marrëveshje të tillë, angazhim të cilit ju përgjigjëm me një punë parlamentare që sot po mbledh frutet e rëndësishme. Por që po, është frut i rëndësishëm por i vonuar.
Si e ka adresuar komuniteti i emigrantëve këtë problem?
Senatori Nannicini: Komuniteti shqiptar në Itali ka qenë motori I kësaj marrëveshje. Ka patur një apel në platformën online Change.org , ka patur rrjet asosacionesh që kanë qenë prezent në të gjitha bashkëbisedimet me ministrinë, me parlamentin. Nuk jam ndjerë asnjëherë vetëm në këtë betejë, përndryshe do të kishte qenë shumë e vështirë në pallatet e institucioneve të çohej deri në fund.
Një dakortësi në fakt për njohjen e pensioneve mes dy vendeve është iniciuar qe ne vitin 2015, ne kohen e ish-kryeministrit italian Renci. Shtate vite negociata për te konkluduar në këtë dite çfarë ndodhi qe zgjati kaq shume procesi?
Senatori Nannicini: Nisi atëherë dhe ra menjëherë qeveria, për fat të keq në Itali kemi këtë ‘ves’, herë pas herë qeveritë bien nga hiçi, dhe pikërisht tek sa po nisnim të kishim disa rezultate për këtë betejë të drejtash, kishte një ndryshim qeverish dhe kjo krijoi një bllokim. Pastaj negociatat nuk nisën më herët se nuk kishte resurse. Ishte një betejë që fillimisht si senator po e bëja në opozitë, sepse partia ime , partia Demokratike ishte në opozitë, pastaj u bëmë pjesë e qeverisë, ja dolëm të kalonim amendamentin. Duhet të them se pasi resurset erdhën falë amendamentit tim, menjëherë bashkëpunimi mes dy delegacioneve, atij Italian të cilin e koordinoja unë, dhe delegacionit të qeverisë shqiptare, prodhoi rezultate në një kohë rekord; ishte një bashkëpunim shumë produktiv, dhe jam shumë i lumtur nga rezultati që kemi arritur sot.
Mund të na flisni më shumë mbi peticionin ‘Pensioni është një e drejtë”?
Senatori Nannicini: Peticioni ishte një moment mobilizimi I rëndësishëm që beteja që po bëja në parlament të sillte disa rezultate, që politika italiane të kuptonte se kishte disa të drejta të mohuara, që kishin të bënin me jetën e shumë njerëzve. Njerëz që janë kthyer në Shqipëri apo që janë integruar në komunitetin tonë, që janë pjesë jo vetëm e motorit ekonomik por edhe e shoqërisë italiane, dhe nuk mund të vazhdonim të mos dëgjonim këtë kërkesë për të drejtat e tyre.
Zonja Ballo, ju dhe senatori Nannicini, jeni nismëtarë te peticionit “Pensioni është një e drejtë’. Si lindi kjo iniciative dhe bashkëpunimi juaj për të shtyrë axhendat e dy ministrive
Zonja Geri Ballo, aktiviste e diasporës shqiptare në Itali: Ky peticion lindi si një instrument për ta vënë në dispozicion të komunitetit shqiptar të Italisë, por jo vetëm edhe të gjithë atyre italianëve të sensibilizuar nga kjo kauzë. Prej vitesh, kërkohej që dy qeveritë t’i jepnin drejtim, t’i jepnin një zgjidhje çështjes së pensioneve të munguara, për shqiptarët që kanë punuar në Shqipëri e më pas në Itali ose anasjelltas. Por në pjesën dërrmuese ata kanë punuar këtu, e më pas kanë emigruar në Itali, e më pas nuk kanë arritur të marrin pension në asnjë nga të dy shtetet, ndaj lindi ideja e një peticioni që në mënyrë dixhitale, të mbledhë firmat e atyre që janë të prekur direkt, të familjarëve dhe gjithë personave të sensibilizuar nga kjo kauzë.
Më në fund duket se është adresuar një problem i madh për emigrantët shqiptarë që punojnë dhe që paguajnë kontribute në Itali. Cilat kanë qene problematikat nga vonesat. Ju keni statistika, si do të përfitojnë nga kjo marrëveshje emigrantët shqiptarë?
Zonja Geri Ballo, aktiviste e diasporës shqiptare në Itali: Personalisht unë sot jam shumë e gëzuar që kemi nënshkruar tekstin e përbashkët mes dy palëve, mes dy grupeve negociatore, ky është një hap shumë i rëndësishëm, që kërkohet dhe është bërë gjithmonë më emergjente me kalimin e kohës, këtu vijmë edhe tek pika që ju përmendët, në lidhje me problematikat.
Problemet janë konkrete, qytetarë shqiptarë në Itali që mund të kenë shtetësinë apo ata që nuk e kanë shtetësinë, nuk ka shumë rëndësi kjo. Çështja është që mbërrijnë në moshën e pensionit, shpesh nuk arrijnë ta përfitojnë pensionin as në Shqipëri e as në Itali, edhe nëse arrin ta përfitojnë pensionin në Shqipëri, është jashtëzakonisht e vogël në krahasim më jetesën në Itali.
Vërtetë kjo është bërë një emergjencë, një problem aq më tepër me krizën ekonomike. Kemi rastet e qytetarëve, e personave mbi 70 vjeç të cilët kanë punuar një jetë të tërë, kanë bërë edhe punë të rënda dhe gjendet në fund të kësaj kohë, bëhen barrë për familjet e tyre, kështu që kanë edhe një ndjesi keqardhje, ka raste që nuk ndodhen në kushte të mira ekonomike.
Kjo ka qenë dhe shtysa kryesore. Në lidhje me statistikat, ne e dimë se kemi rreth 700.000 shqiptarë që jetojnë në Itali. Natyrisht që sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë rritet numri i atyre që kanë të drejtë të përfitojnë pension dhe nuk arrijnë, dimë që edhe një numër i konsiderueshëm mund të ketë punuar në një pjesë të kohës në Itali në mënyrë informale, pra dhe mbledhja e kontributeve zyrtarisht nuk ka qenë aq sa kanë qenë vitet e punës.
Në Itali duhen minimalisht 20 vite punë për të përfituar pension, dhe ja që arrijë tek një numër po e përsëris gjithnjë e më të madhe qytetarësh që ngelen pa pension.
Gjithë këto problematika besoj janë të zbardhura tek marrëveshja? A ka specifika që ja vlejnë të përmenden?
Zonja Geri Ballo, aktiviste e diasporës shqiptare në Itali: Teksti i dakordësuar sot, i merr parasysh të gjitha këto pika, i merr parasysh të gjithë situatat specifike, edhe vetë fondi që u vu në dispozicion në ligjin e buxhetit të shtetit italian, niste si fond nga përllogaritja e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Italisë, i cili duke pasur të gjitha të dhënat për qytetarët shqiptarë që punojnë në Itali dhe grupmoshat i ka përcaktuar dhe i ka ndarë edhe vit dhe është i lidhur me fondin që vit pas viti do të jetë në dispozicion për pensionin e tyre.
Sa emigrantë shqiptarë në Itali do të përfitojnë vitin e parë dhe kur do të zbatohet kjo marrëveshje?
Zonja Geri Ballo, aktiviste e diasporës shqiptare në Itali: personalisht nuk jam marrë me një detaj të tillë, ne kemi teknikë shumë të zotë që janë marrë hap pas hapi. Por di që janë rreth 20.000 emigrantë shqiptarë që do të përfitojnë pensione vitin e parë, pastaj numri vjen në rritje vit pas viti.
Kjo është mjaft e logjikshme duke patur parasysh që gjenerata e parë e shqiptarëve që kanë emigruar në vitet 90’, tashmë po arrijnë rreth moshës 70 vjeçare.
E dimë që do të ketë një rritje të numrit të përfituesve dhe si rrjedhim edhe fondi do të shtohet, e më pas do të ketë një nivelim, e do të jetë ndoshta edhe në rënie sepse rritet numri i shqiptarëve që arrijnë të totalizojnë më shumë se 20 vite me punën e mirëfilltë në Itali.
Çfarë duhet kuptuar me unifikim të viteve të punës? A mund të na e konkretizoni përmes një shembulli?
Zonja Geri Ballo, aktiviste e diasporës shqiptare në Itali: Ne mund të japim një shembull konkret, kemi p.sh një person që ka punuar 10 vite në Shqipëri e më pas ka emigruar dhe ka punuar edhe 15 vite të tjera në Itali dhe ja që në asnjërin nga dy vendet nuk i njihet e drejta e pensionit.
Ndërkohë që në momentin që nënshkruhet dhe ratifikohet marrëveshja, i lind e drejta që të mund të kërkojë pensionin si në Shqipëri ashtu edhe në Itali pasi secili nga dy vendet do të vendosi në dispozicion një kuotë, sipas viteve që personi në fjalë ka punuar ne secilin shtet, por që nga totalizimi ai person mund të marrë pensionin si ta kërkojë këtu, edhe në Itali.