Arben Ahmetaj, i cili u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit nuk është person nën hetim për ndonjë vepër penale në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.
Kështu iu përgjigj SPAK kërkesës të Report Tv në lidhje me Ahmetajn.
Kjo hedh poshtë të gjitha pretendimet e Sali Berishës se Edi Rama bëri ndryshime në qeveri në mënyrë që Ahmetaj të arratisej pasi sipas tij rezulton i përfshirë në aferën e inceneratorëve.
“Arben Ahmetaj, në vitin 2005, është arratisur disa vite në Rumani, ku kërkonte azil. Tani ai e liron nga detyra vetëm e vetëm që ai të largohet. Me këtë rast, unë i them Edi Ramës, se edhe në ata satelitët që ke porositur, të shkojë, do bëhet përgjegjës para shqiptarëve për këtë aferë dhe aferat e tij”, tha Berisha sapo u noftuan ndryshimet në qeveri nga kryeministri Rama.
Dy ditë më parë, Rama njoftoi se Arben Ahmetaj nuk do të jetë më zv. Kryeministër, ndërsa vendin e tij si numri dy i Qeverisë do ta zërë Belinda Balluku, e cila do ta mbajë edhe postin aktual të ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërsa ministria e Shtetit për Rindërtimin, për kreun e qeverisë e ka përmbushur misionin, kjo dhe fale kontributit të Ahmetajt. Rama tha se kriza energjetike si dhe integrimi i vendit drejt Bashkimin Europian, janë tashmë dy prioritetet e qeverisë, për të cilat janë bërë edhe ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Ndërkohë në kuadër të procesit të integrimit dhe negociatave me BE-në, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se si kryenegociatore është emëruar Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik, në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Zef Mazi.
Dhuka po ashtu është emëruar Ministre Shteti për marrëdhëniet me BE-në pranë kryeministrit. Kreu i qeverisë falenderoi kryenegociatorin Zef Mazi për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave./m.j