Nga Fabrizio Bucci*
I Nderuar Zoti Kryeredaktor,
javën e shkuar, ndërsa lexoja shkrimin e gazetës suaj “Tregtia e jashtme, si ka ndryshuar me krizën?” në të cilin deklarohej se Turqia ia ka kaluar Italisë, mu kujtua shprehja e famshme e Trilussa-s, një poet i njohur popullor roman i viteve të para të ‘900 (sikundër e dini unë jam nga Roma …). Trilussa dikur ka thënë se statistika është ajo shkencë sipas së cilës nëse unë ha një pulë të tërë dhe ti asgjë, mesatarisht kemi ngrënë nga një gjysëm secili. Me shpoti, poeti roman, ka dashur vetëm të thotë se shpesh herë numrat (në “statistikë”…) mund të shprehin atë çka ne duam.
Edhe në zërat e përmendura shprehimisht në shkrimin tuaj, apo në ato që lidhen me importet shqiptare, Italia rezulton të jetë Vendi i parë furnizues i Shqipërisë edhe në gjashtëmujorin I të 2022 me një vlerë të përgjithshme prej 104.079 milion lekë (rreth një e katërta e të gjtha importeve shqiptare). Në vendin e dytë renditet Turqia, me 55.044 mln lekë: pra gjysma e vlerës italiane.
Përsa i përket numrit të sipërmarrjeve të huaja në Shqipëri, ato italiane janë 2.553 (Instat_foreign_businesses). Ato përfaqësojnë përqindjen më të lartë të sipërmarrjeve të huaja që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vendin e Shqiponjave (42%), të ndjekura me një diferencë të madhe nga ato të Kosovës me 389 (apo 6.5%). Sipërmarrjet italiane zënë rreth gjysmën e fuqisë punëtore të sipërmarrjeve të huaja në Shqipëri (48%) dhe realizojnë vëllimin më të lartë tregtar (21,2% të totalit) krahasuar me sipërmarrjet e Vendeve të tjera që ushtrojnë veprimtarinë këtu.
Dëshiroj, pra, të siguroj të gjithë miqtë shqiptarë dhe të gjithë lexuesit tuaj se Italia jo vetem që nuk ka humbur terren por, përkundrazi, ka fituar. Italia është gjithmonë e më shumë e rrënjosur në realitetin ekonomik shqiptar e do të vijojë të jetë gjithnjë e më shumë. Pikërisht vitin e kaluar krijuam një “Komitet të Përbashkët për Investimet” në nivel ministror, në kuadër të të cilit është realizuar një takim vitin e shkuar në Romë e do të realizohet një tjetër takim në muajin nëntor, kësaj here në Tiranë, me pjesëmarrjen e dhjetra sipërmarrjeve që do të vijnë nga Italia për mundësi të reja investimi. Falë punimeve të këtij Komiteti, nën drejtimin e përbashkët të Kryeministrit Rama dhe të Ministrit të Jashtëm italian, investimet italiane po shënojnë rritje. Vetëm një muaj më parë shoqëria italiane DUFERCO ka blerë një hidrocentral shqiptar me një investim prej disa milion euro.
Në përfundim, duke cituar gjithmonë Trilussa-n: “nëse këmbëngul dhe reziston, atëherë ia del dhe fiton”.
Përshëndetje të përzemërta,
Fabrizio Bucci
*Letër drejtuar Kryeredaktorit të gazetës “Dita”, Adrian Thano, lidhur me shkrimin “Tregtia e jashtme, si ka ndryshuar me krizën?”, botuar në datën 21 korrik 2022