Nenkryetari demokrat njeheresh deputeti i PD, Luçiano Boçi ka ironizuar vendimin nga Britania e Madhe për shpallje non grata të Sali Berishës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale deputeti e konsideron vendimin ;humor anglez; ndërsa qesharake akuzat që mbi të cilat autoritetet britanike janë bazuar për të vendosur sanksionet ndaj Sali Berishës.
Reagimi i plotë:
HUMOR ANGLEZ
Shumë vapë korriku. Nuk e dinim që do freskoheshim me pak humor anglez. Berisha thonë ata paska një bandë të rrezikshme që veproka në Angli e madje paska ndërmend, sipas inteligjencës britanike, ta përdorë atë për qëllimet e tij politike. Me terma shërbimesh sekrete do të thotë që po kërkon me diversantë të rrëzojë me dhunë pushtetin popullor të Ramës. Komplot i madh ky që duhet ndalur e nuk tolerohet.
Madje kaq i rrezikshëm na qenka Berisha, sa paska vite që ka menduar për këtë plan. Ka financuar kohë më parë një agjent të fshehtë, shtetas Britanik, “kriminel” potencial i padënuar ende në Britani, por që e ka në rrëzë të veshit, të quajtur Fazlliç me origjinë jugosllave.
Ky madje, nga burime të besueshme, është mik dhe i drejtuesve të pushtetit popullor.
Fazlliçi ngjan si një prerje ideale e kryqëzimit midis misioneve angleze dhe atyre jugosllave të luftës së dytë botërore që lëviznin midis Kupit dhe Hoxhës.
Është dhe britanik dhe jugosllav njëherazi. Na sjell ndërmend Dejvisin e Palmerin e dikurshëm, apo Maklinin që ikinin sa djathtas sa majtas.
Ndoshta Ramës i ka sjellë pushkë pa shula, këpucë me masa të ndryshme e uniforma të vjetra, se ka dashur ta sabotojë për të favorizuar Berishën.
Nuk i dihet, por dhe mund të ketë ngjarë, përderisa Rama e ka denoncuar mikun e tij të zemrës dhe e ka ndërruar me “Miladinin” e vet Vuçiç, te cilit i beson gjithçka dhe e ka idhull si Hoxha me Popoviçin.
Po nuk mbaron këtu.
Tek lexoja rreshtat e akuzës për Berishën, më erdhi ndërmend fëmijëria ime kur kishim dhe ne “bandën” tonë të lagjes. Unë isha më i madhi (në moshë), megjithëse vërtiteshim tek 12-14 vjeç. “Luftën” e kishim me Ullastrën (sot lagja Partizani), sepse ato na kishin shpallë “non grata” atëhere.
Jo tamam me termin e sotëm, por nuk mund të kalonim andej vetëm, se plaste sherri.
Madje ishim aq bandë e organizuar sa dhe emrat i fshihnim. Kishim pseudonime. Beni e kishte Koka, Landi thirrej Qepshja, Arjani Tajaçja, Bardhyli Batho, Gezimi Keço, Beni tjetër Shtata etj. Në mesin tonë kishim dhe një malazez nga fshtrat e Shkodrës. Aktiviteti ynë ishte gjerësisht sabotues për lagjen tjetër.
Sot disa nga anëtarët e “bandës” time për shumë arsye jetojnë në Angli. Nuk po i tregoj emrat dhe do Zoti shërbimet inteligjente nuk i kanë zbuluar lidhjet e kahershme të miat se do bëhesha i listuari i 28 i “non gratave”.
Vapa përcëllon këto ditë e kondicioneri nuk mjafton.
Rroftë humori se ai të freskon!/m.j