Në harkun kohor të pak ditëve në Shqipëri janë shënuar dy krime të rënda dhe në të dy rastet autorët kanë djegur makinat, ku lanë pas 4 të vrarë dhe 1 të plagosur rëndë.
Pasditen e 17 korrikut, 4 persona të paidentifikuar ekzekutuan me breshëri kallashnikovi tre të rinj në mbikalimin e Fushë-Krujës.
Viktima të atentatit mbetën Brilant Martinaj, që dyshohet se ishte dhe objektivi, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Tre viktimat ishin duke udhëtuar me një mjet “Volkswagen Passat” nga Rinasi në drejtim të Laçit kur një makinë po “Volkswagen Passat” i zuri pritë, 3 persona dolën nga mjeti dhe zbrazën breshërinë e kallashnikovit mbi ta.
Nga breshëria e plumbave makina shpërtheu në flakë. Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxha u shkrumbuan brenda Voslwagenit që u dogj. Ndërsa Diklen Vata, i cili ishte pasagjer në pjesën e pasme, mundi t’i shpëtonte plumbave dhe tentoi të largohej duke dalë nga mjeti. Kur autorët e panë që doli gjallë, u kthyen dhe u siguruan që të vdiste.
Vetëm 6 ditë pas masakrës me 3 të vrarë që tronditi Shqipërinë, krimi goditi sërish në Milot. Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi u qëlluan me breshëri automatiku.
Preçi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve dhe mbërriti në spital pa shenja jete.
Dy personat ishin duke qarkulluar me automjet dhe në Milot janë gjendur përballë breshërisë së armëve.
Preçi dhe Brahimi janë emra të njohur për policinë. Ata i kanë shpëtuar atentateve edhe më parë.
Brahimi ka qenë i përfshirë në biznesin e lojërave të fatit dhe i dënuar për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa është marrë në pyetje dhe për vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi. Ndërsa, Klisman Preçi është arrestuar për një tentativë grabitjeje me armë në Milot.
Autorët në të dy rastet në fjalë dogjën makinat e krimit, për të fshehur gjurmët. Kjo është strategjia e autorëve, çka do të thotë se atentatet mafioze në Shqipëri mund të ndryshojnë nga mënyra e ekzekutimit, por kanë të përbashkët djegien e makinave.
Edhe vrasja e mbrëmshme ishte po e njëjta skemë ku autorët vrasin dhe më pas djegin makinën që në shumicën e rasteve rezulton e vjedhur, ose targat janë të vjedhura.
Djegia e makinave për botën e krimit është fundi i misionit, që ata kanë ndërmarr dhe më pas arratisen duke u larguar nga Shqipëria ose ndërrojnë identitetet.
Pse autorët i djegin makinat pasi kryejnë atentatin?
Kjo është një skemë kjo tipike në atentate, pasi zjarri shkatërron provat që autorët mund të lënë në mjet. Shkatërrimi i provave ja vështirëson punën hetuesve të policisë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. /abcnews
g.kosovari