Nga Ben Andoni
Nga ajo që kemi parë kohët e fundit është shumë e vështirë tek PD-ja që të ketë një kthesë për ndryshim. “Non grata” e dytë e Berishës nga Britania e Madhe jo vetëm është e rëndë, por përkundrejt çdo justifikimi të njerëzve të PD-së po i bën ata tejet groteskë. Vetë Sali Berisha me insistimin e tij të paepur po duket se është pasqyrimi më i saktë i atij traktati oratorik që shpalosi dikur Noli. Le ta sjellim për publikun, atë që ish-kryeministri shqiptar e renditi të pestin dhe e lidhi me anarkinë e idealeve: “këtu idealet janë të errëta, të shtrëmbëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.
Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…” Numrat e manifestimit të 7 Korrikut janë si ilaç për këdo që është i sëmurë dhe nuk sheh drejtimin që partia po merr nën drejtimin e Sali Berishës. Po t’i shtosh edhe qesëndinë e Drejtësisë për të mos dhënë verdiktin për ndryshimet statuore dhe ngjyresën e PD-së së re Berisha, duket se të gjithë po i kënaqen kësaj bjerraditje të partisë më të madhe opozitare në vend. Sikur të mos mjaftojë kjo, partitë e tjera aleate të opozitës janë në një gjumë të thellë letargjik dhe nuk kanë parë në asnjë moment sesi të mund të zgjerohen në ideologji por edhe në fushat e interesit për ta bërë alternativën e duhur kundwr qeverisw Rama. Po ta shqyrtosh hollë ne nuk jemi hiç më pak sesa parlamenti i viteve ’20.
Nëse Berisha nuk do ta kuptojë situatën dhe do kapet fort pas një të pamundure, ai atëherë po kthen përmbys dhe historinë e tij, që me Foltoret u ka marrë shumë, paçka se ende ka “masivitet” njerëzish përreth tij. Nëse edhe SPAK-u do të mjaftohet me këtë luftë diplomatike, drejtuar nga SHBA dhe Britania e Madhe, duke na bërë qesharakë me akuzat e disa prej zyrtarëve tanë ndaj tyre, që për fat shtrihen deri në parlament, atëherë kjo lloj demokracie është realisht për mëshirë, nëse quhet vërtetë demokraci.
Po a ka vallë në Partinë Demokratike zëra që mund të ndryshojnë? Deri tani duket se janë zëra të mekur dhe në çdo moment i frikësohen konjukturave. Alibeaj nuk po ngrihet në asnjë moment të vetëm në pozicionin që ka. Bardhi me zërin apatik dhe kundërshtues më shumë e prish imazhin, kurse gritë si Alizotaj po tregojnë dita-ditës që nuk kanë ndonjë formim për t’i pasur si referim.
Vetëm se është e pamundur që tek PD-ja të mos ketë personazhe të kalojnë barrierën Berisha dhe t’u hapin sytë demokratëve. Mark Marku e provoi me shumë dinjitet, paçka se nuk është shumë imponues në oratori, por me një retorikë të strukturuar dhe të qartë, atë që sot e kësaj dite nuk po e bën dot askush te PD. Açka po e provon duke u munduar të vendosë disa rregulla kanonike por e padëgjueshme në një parlament me nivele inferiore edukate. Gjithsesi, ka ardhur koha, që dikush të kthjellohet: Berisha edhe pse di të mobilizojë nuk kthehet më dot si më parë ose më saktë do të pengohet. Kjo do të prishë dhe shumë karriera të shumë njerëzve nga PD-ja që më vonë do të përsërisin të njëjtën gjë: Ne nuk e parashikuam! Mu tamam, si thanë shumë bashkwkohës të Enver Hxohës. Por historia vërtetë nuk na mëson shumë, por na bind se gabimet nuk t’i fal. Në këtë moment PD-ja, tashmë, nuk është para një udhëkryqi, por para një humnere. Është shumë vonë, por ka ende shpresë. (Javanews)