Ilir Meta do të zhvillojë vizitën e tij të fundit si president në Kosovë. Burime bëjnë me dije se Meta do të kthehet prej andej në datën 23 Korrik, një ditë përpara skadimit të mandatit.
Ndërkohë që të dielën do të mbahet dhe ceremonia e kalimit të detyrës nga Ilir Meta tek Bajram Begaj, në një seancë që pritet të nisë në orën 18:00 në Parlamentin e Shqipërisë.
Seancën do ta drejtojë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Pas leximit të formulës së betimit, zoti Begaj do të betohet para deputetëve të Kuvendit, dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
Ceremonia e dytë do të zhvillohet në ambientet e Presidencës. Ajo është parashikuar të zhvillohet në orën 19:30. Në këtë ceremoni bëhet dorëzimi i detyrës nga presidenti aktual, Ilir Meta, tek Presidenti i ri, Bajram Begaj, i cili mësohet se do të shoqërohet nga familja e tij.
Në mënyrë simbolike kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, do i dorëzojë Presidentit Begaj, Kushtetutën e vendit. Pjesë e ceremonialit do të jetë dhe shoqërimi i emërimit të kreut të shtetit me 21 të shtëna topi artilerie me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, flamuri kombëtar qëndron i ngritur.
Pasi presidenti i zgjedhur i Republikës, Bajram Begaj të bëjë përshëndetjen e rastit do të bëhet parakalimi tradicional i truprojës së nderit. Pas kësaj, të pranishmit ftohen në Pallatin e Brigadave për të marrë pjesë në pritjen zyrtare./m.j