Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u ulen dje në Bruksel në të njëjtën tryezë me vendet anëtare, në konferencën e parë ndërqeveritare, duke shënuar kështu nisjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim, pas një kalvari të gjatë pritjeje, zvarritjesh dhe pengesash. Shkupi priste prej 17 vjetësh, ndërsa Tirana kishte 8 vite.
Për këtë çështje u diskutua mbrëmjen e së martës në Debat nga Alba Alishani, ku i ftuar ishte edhe deputeti i PD Oerd Bylykbashi.
Ai u shpreh se ky është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë edhe pse duhet të kishte ndodhur më parë. Bylykbashi theksoi se tashmë BE-ja do t’i vërë lakun qeverisë.
“Është një ditë shumë e rëndësishme për shqiptarët, por që duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Ky rrugëtim ka nisur që pas viteve 2000, pas samitit të Selanikut. Në vitin 2013, rotacioni politik me votë ishte një hap i madh, por vetëm pak muaj më pas, në pranverën e vitit 2014 u mor statusi i vendit kandidat, ndërsa më herët e kishte bllokuar Edi Rama me përpjekjet për bllokimin e ligjeve. Nga ai vit, kishim mbetur në stanjacion. Javën që shkoi isha në Berlin dhe në kontakte me deputetë të CDU-së, kam dëgjuar që kishte kritere të papërmbushura, por vendimi i tyre ishte i qartë që duhet të ecnim përpara.
Tashmë, BE-ja do t’i vërë lakun kësaj qeverie, e cila nuk do të ketë më mundësinë që të sorollatet si t’i dojë qejfi në dëm të qytetarëve shqiptarë”, tha Bylykbashi.
/a.r