Një moment historik e ka cilësuar nënkryetarja e Komisionit të Integrimit, Etilda Gjonaj hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Në një intervistë për Report Tv, Gjonaj thotë se pas këtij momenti Shqipëria do të ketë përpara një rrugëtim të gjatë e të vështirë deri në plotësimin e të gjitha kapitujve për tu bërë anëtarë e BE-së me të drejta të plota.
E ftuar në emisionin ‘Repolitix’ të gazetarit Denis Minga, deputetja tha se kapitujt e parë që do të hapen janë kapitulli 23 dhe 24 që lidhen me drejtësinë dhe korrupsionin. Gjonaj shprehet se reforma ndë drejtësi ka dhënë rezultatet e veta po mbetet ende shumë punë për tu bërë përpara.
“Një proces shumë i gjatë dhe i vështirë na pret para duke e konsideruar të mirëqenë vullnetin e maxhorancës, por duke shpresuar edhe nga opozita të vijojmë me atë pjesën që konsiderohet teknike duke patur mundësinë që me screeming, sesa është në përputhje me direktivat e BE, do e kemi mundësinë të hapim kapitujt me grupime. Do e kemi mundësinë të hapim disa kapituj, do kërkohen në grupime. Grupimi i parë është, kapitulli 23 dhe 24 që lidhet me drejtësinë dhe korrupsionin. Reforma në drejtësi e ka bërë Shqipërinë që të jetë pararojë e të gjithë vendeve të Ballkanit por jo vetëm. Ka qenë ndërtimi i një trak rekordi apo ndërtimi i një date base me rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Ky është një kërkesë që duhet të ndiqet nga SPAK në të gjitha rastet kur ka korrupsion të zyrtarëve të lartë”, u shpreh Gjonaj.
Sa i përket mungesës së opozitës në konferencën e parë ndërqeveritare, ajo shprehet se këto çështje teknike i takonin vetëm qeverisë dhe prandaj kanë marrë pjesë vetëm zëvendësministra që janë përgatitur gjatë gjithë kësaj kohë për kapitujt që BE ka kërkuar nga vendi ynë për tu plotësuar. Gjonaj tha se maxhoranca do t’i japë mundësinë opozitës që të ulen në tavolinë për të zhvilluar bisedime për çështjen e integrimit.
“Mund të ishte ftuar por përderisa ishte axhendë për ekzekutivin nuk ishte vendi për të patur deputetë as nga maxhoranca as nga opozita, se kështu do lindte e drejta të kishte deputetë edhe nga maxhoranca. Çështja është teknike, kush do i duhej të shkonte dhe të ishte pjesë. Maxhoranca do i japë mundësinë opozitës që të ulen e të bisedojnë për çështjet e integrimit, por se ca do bëjnë në shtator ata është një pjesë që nuk na takon”, tha Gjonaj.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut çelën sot negociatat me bashkimin pas pritjes disa vjeçare. Kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Eurokomisioneri Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet e qeverisë dhe thanë se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej.
/e.d