Ero vazhdon pikiatën si kurrë më parë
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro ra për herë të parë në historinë e vet poshtë nivelit të 117 Lekëve dhe u këmbye me 116.97 Lekë.
Në këtë periudhë të vitit, mbiçmimi Lekut ishte i pritshëm, për shkak të elementit të zakonshëm sezonal, të lidhur sidomos me turizmin. Kulmi i sezonit turistik shoqërohet edhe me një rritje të prurjeve të Euros në ekonominë shqiptare, duke ndikuar në zhvlerësimin e monedhës europiane ndaj Lekut. Por, këtë vit efekti sezonal nisi mbi një bazë edhe më të ulët të kursit Euro-Lek, duke thyer ditë pas dite rekorde të reja në rënie. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me 4.5%.
Agjentët e këmbimit valutor e kanë shpjeguar forcimin e pazakontë të Lekut që prej fundit të vitit të kaluar me rritjen e shpejtë të turizmit, eksporteve dhe remitancave pas pandemisë, që kanë sjellë përmirësimin e Bilancit të Pagesave (sidomos në tremujorin I 2022), por edhe me prurjet e larta nga aktivitetet informale ose kriminale.
Leku i fortë në një periudhë inflacioni të lartë ndihmon në amortizimin e pjesshëm të rritjes së çmimeve nga tregjet e huaja. Duke qenë se Shqipëria importon mallra dhe shërbime kryesisht në Euro, forcimi i Lekut e ka zbutur pjesërisht rritjen e çmimeve të tyre. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, inflacioni me siguri do të kishte qenë më i lartë, në mungesë të forcimit të Lekut ndaj Euros. Zhvlerësimi i Euros ndikon pozitivisht edhe importet e shërbimeve dhe sidomos turizmin e shqiptarëve jashtë vendit.
Por, nga ana tjetër, rënia e Euros ka një impakt negativ në sektorët eksportues të ekonomisë dhe sidomos në sektorin e fasonerisë, sepse tkurr të ardhurat e tyre, të konvertuara në Lekë.
/a.r