“Një ditë pas ekzekutimit të trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ekspertë të kriminalistikës janë rikthyer sërish në vendngjarje aty ku sot gjenden vetëm mbetje të makinës së shkrumbuar me të cilën lëviznin 3 viktimat”.
Shenjat e plumbave janë ende te barrierat anësore të rrugës në mbikalimin e Fushë – Krujës.
Tre armë të ndryshme qëlluan mbi 50 plumba.
Deri në këtë fazë të hetimit, policia dhe prokuroria po përpiqen të zbulojnë itenerarin e përshkruar nga autorët, të cilët dyshohet se ishin 4, 3 prej të cilëve lëshuan breshëri plumbash ndaj të rinjve.
Dyshohet se ata e kanë ndjekur makinën e viktimave nga rruga që lidh fshatin Larushk me rrugën Tapizë – Fushë Krujë.
Përgjatë kësaj rruge janë me dhjetra biznese që kanë kamera sigurie dhe grupi hetimor por i shqyrton në përpjekje për të rënë në gjurmët e autorëve.
Tv Klan ka mësuar lëvizjet që kanë bërë përpara se të ekzekutoheshin viktimat Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj.
Referuar burimeve policore, mëngjesin e së dielës viktimat kanë udhëtuar me automjetin e tyre tip Volkswagen nga Laçi në drejtim të Larushkës.
Aty ata kanë lënë makinën e tyre dhe një automjet tjetër i ka dërguar drejt Tiranës, tek një servis makinash në zonën e njohur si “3-shi” në afërsi të Institutit.
Më pas janë rikthyer sërish në Larushk rreth mesditës, ku kanë marrë makinën për t’u kthyer në Laç.
Vrasësit kanë pasur dijeni për lëvizjet dhe dyshohet se i kanë pritur kur kanë hyrë në rrugën e Tapizës, për t’i ekzekutuar pak kilometra më larg, në mbikalimin e Fushë-Krujës.
Në makinën e autorëve, që u gjet e djegur në Larushk, ka fare pak prova të vlefshme. Automatikët e përdorur në atentat janë shkrumbuar tërësisht.
Veç hetimeve, bazuar në provat e mbledhura deri tani, grupi hetimor është përqëndruar edhe tek konfliktet e mëparshme që mund të kenë pasur viktimat.
Policia ka shoqëruar dhjetra persona, por nuk ka ndaluar asnjërin prej tyre.
Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për vrasës me pagesë, çka e bën më të vështirë zbulimin e tyre apo të porositësve.
/a.r