Partia Socialiste ka ndezur motorrët për zgjedhjet vendore që do të zhvillohen vitin e ardhshëm.
Nga Elbasani ku u zhvillua takimi i fundit i prezantimit të kryetarëve të rinj në të gjitha Bashkitë e Qarkut, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, shprehu bindjen për fitoren e thellë të socialistëve.
Gjiknuri theksoi se procesi i zgjedhjes së drejtuesve të rinj shërben edhe si një dialog i mirëfilltë me anëtarësinë e Partinë Socialiste.
“Përpara na presin detyra të tjera sikurse është ngritja e të gjithë strukturës së koordinatorëve elektoralë, seketarëve organizativ dhe të gjitha strukturave të tjera, me qëllim që Partia Socialiste brenda vjeshtësh të jetë gati për zgjedhjet e pritshme që besoj do të zhvillohen në pranverën tjetër. Partia Socialiste është në një fazë të plotë t ë rigjenerimit, të riorganizimit të saj përballë sfidave që na presin. Ne jemi të bindur, jo vetëm në Elbasan, kudo do të arrijmë fitore”, theksoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi se PS futet në zgjedhjet e ardhshme me një sërë arritjesh të rëndësishme.
“Pavarësisht se Partia Socialiste ka vite në qeverisje dhe për dikë kjo do dukej si disavantazh, përkundrazi ne mendojmë që është një bagazh i tërë arritjesh për Partinë Socialiste në qeverisjen e saj. Me një strukturë më të shëndoshë, pas proceseve që zhvilluam, Partia Socialiste do të jetë fituese dhe në Qarkun e Elbasanit ne synojmë t’i fitojmë të gjitha bashkitë dhe do t’ia dalim”, deklaroi Gjiknuri.
Teksa nënvizoi rëndësinë e dialogimit të hapur me anëtarësinë, Gjiknuri shtoi se PS është platforma më e madhe e komunikimit demokratik në Shqipëri.
“Është momenti për një dialog të hapur me anëtarësinë. Unë ju bëj thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave që janë anëtarë, edhe ato që nuk janë, të afrohen me Partisë Socialiste. Kjo parti është platforma më e madhe e komunikimit demokratik brenda këtij vendi. Ne jemi partia më e ‘shëndoshë’, kemi njerëzit më të mirë. Pse jo edhe për gjërat që nuk shkojnë mire, ta shfrytëzojmë Partinë Socialiste me të gjitha mënyrat e komunikimit të saj për të arritur në një shkallë më të lartë demokracie dhe për të përmirësuar qeverisjen dhe partitë politike në Shqipëri. Partia Socialiste është shembulli më i mirë për ta”, shtoi më tej Gjiknuri.
Pas prezantimit dhe zgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste në të gjitha Bashkitë e Qarkut të Elbasanit, ky proces do të shtrihet në çdo njësi administrative me qëllim rigjenerimin dhe riorganizimin e kësaj force në çdo këshill socialist.
/a.r