Mesfushori Kristjan Asllani ka thënë se gjithmonë ka qenë i fokusuar tek Interi dhe se dëshiron të fitojë titullin, sipas një raporti në mediat italiane. Duke folur gjatë një interviste për DAZN, 20-vjeçari shqiptar ka zbuluar se ka bërë tifo për skuadrën zikaltër gjatë gjithë jetës së tij, kështu që ishte një zgjedhje e lehtë për t’u bërë kur erdhi ftesa: “Unë kam qenë gjithmonë i fokusuar vetëm tek Interi dhe sapo mora kërkesën, e pranova menjëherë”.
Asllani u pyet gjithashtu se çfarë do ta kënaqte sezonin e ri me Interin. Pa hezitim, mesfushori tha se synon majën, të fitojë titullin: “E rëndësishme është të sillni diçka në shtëpi. Sinqerisht do të doja të fitoja titullin. Zgjodha numrin 14 të Perisic, madje ai më shkroi për të më uruar fat dhe jam i lumtur. Numri është edhe për ditëlindjen e vëllait tim”.
Kristjan Asllani përshkroi se si u ndje kur pati mundësinë të firmoste kontratën e tij të parë me Interin, pasi u miratua kalimi nga Empoli: “Në fillim nuk e besova. Pastaj, kur nënshkrova ishte një emocion i mrekullueshëm për mua dhe familjen time. Jam shumë i lumtur”.
Diçka me të cilën ai do të duhet të luftojë është kritika dhe vëmendja shtesë, tani që është në një klub më të madh. Ai mendon se mund ta përballojë këtë lloj trysnie: “Nuk kam shumë presion, edhe pse jam shumë kritik ndaj vetes. Gjithmonë i shikoj ndeshjet për të kuptuar se ku dhe në çfarë aspekti mund të përmirësohem”.
Shqiptari foli edhe për ditët e tij të para në klub dhe për atë që i ka bërë më shumë përshtypje, që kur u bashkua me zikaltrit: “Këto kanë qenë ditë të shkëlqyera, ambientimi po shkon shumë mirë. Kemi disa ditë bashkë dhe djemtë më kanë pritur shumë mirë. Nuk jam mësuar me një qendër kaq të madhe sportive. Pastaj djemtë, sigurisht, i shihja në televizor, tani luaj me ta”.
Ai thotë se Danilo D’Ambrosio e ka pritur më ngrohtësisht: “D’Ambrosio më ka afruar pak më shumë se të tjerët. Në fakt, të gjithë, në përgjithësi, po më ndihmojnë të integrohem. Këshilla e vlefshme që japin të mëdhenjtë është të qëndroj i përulur”.
Kristjan Asllani i kaloi vizitat mjekësore tek Interi në të njëjtën kohë me Romelu Lukakun, prej të cilit mori lavde publike: “Po, ishte hera e parë që takoheshim dhe biseduam për gjysmë ore në qendrën mjekësore. Ai po më jep gjithashtu një dorë të madhe me procesin e integrimit”.
Shqiptari ka firmosur kryesisht si rezervë e Marcelo Brozovic, kroati është një lojtar që ai e admiron: “Me topin mes këmbëve ai është shumë i fortë. E kam parë gjatë gjithë kampionatit, duke e admiruar. Unë mund të mësoj nga Brozovic, mund ‘të vjedh’ shumë prej tij”.
Asllani zbuloi se Simone Inzaghi nuk ka folur ende me të për rolin në fushë, si dhe falënderoi Empolin për kohën e kaluar atje: “Trajneri nuk më ka thënë ende asgjë, por unë mund të luajë çdo rol në mesfushë.
Vitin e kaluar tek Empoli kam luajtur shumicën e kohës përpara mbrojtjes, por mund të mbuloj më shumë role. Fizikisht jam shumë mirë. Që nga shkurti kam luajtur shumë ndeshje me Empolin, ndaj duhet të falënderoj trajnerin Andreazzoli dhe presidentin Corsi”.