Procedohet penalisht një 17-vjeçar. Ai kishte fshehur afër banesës së tij, në rrugën “Gjergj Legisi” në Tiranë një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.
Policia e cila po punon për gjetjen dhe ndjekjen penale të personave që mbajnë armë pa leje, është informuar nga disa qytetarë se djali kishte armë zjarri të fshehura pranë banesës dhe menjëherë ka shkuar në adresën e dhënë për kontroll.
Gjatë kontrollit policia zbuloi mes shkurreve një armë zjarri kallashnikov si dhe një sasi municioni luftarak, të cilat i sekuestroi në cilësinë e provës materiale. Materialet e sekuestruara u referuan më tej në Prokurori.
Për 17-vjeçarin me inicialet R.R., i cili mbante të fshehura këto armë, ka nisur procedimi për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Nga ky rast janë denoncuar për “Moskallëzimi i krimit” edhe dy qytetarë, banues të Tiranës, B.K., 40 vjeç dhe I.Z., 39 vjeç.
/a.r