Në një vjetorin e përzgjedhjes së tij në krye të partisë, Memli Krasniqi, e pranoi hapur se qëllimi i tij i vetëm është rikthimi i PDK-së në pushtet. Thënë shkurt, menaxheri në detyrë, tregoi se as s’ia ndien për dialogun Kosovë-Serbi, marrëdhëniet e përkeqësuara Kosovë-Shqipëri, pozitën e dobësuar të Kosovës në rajon e në raport me BE-në, por ai do vetëm pushtet.
Kaq rëndë ka ardhur puna e Partisë Demokratike të Kosovës, të themeluar mbi idealet e strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila është në gjendje për të përflakur kauzat e kombit për tekat ditore të Memli Krasniqit, Bernard Nikajt dhe Përparim Grudës, sa te heshtin për atë që ndodh në bisedat sekrete.
Me fjalë të tjera, rrethi i pazarxhinjëve të ligë në PDK është mezi duke pritur me padurim një ftesë nga Albin Kurti për t’iu bashkuar qeverisë së tij, por kjo, nga sa e njoh unë PDK-në, duket nuk do të ndodhë.
Jo rastësisht, PDK-ja është shumë e zellshme për t’i goditur radhët e saja në publik, por nuk ka kurrfarë kurajo për t’i vënë një vijë të kuqe një koalicioni të mundshëm me VV-në, tani apo pas zgjedhjeve.
Sidoqoftë, në botën e halucinacioneve të krerëve të PDK-së të stimuluar nga jeta e natës, VV do të bie vetvetiu e PDK do të rritet natyrshëm.
Një ditë pas Memlit, shefja e paradhomës së Albin Kurtit, Vjosa Osmani, deklaroi se ka përparime në dialogun Kosovë-Serbi. Për t’i rënë shkurt, gruaja që harliset në sytë e publikut kinse po ballafaqohet me Serbinë për t’i marrë nja 2.000 like më tepër në Facebook, paralajmëroi marrëveshje të reja me Serbinë.
Si fillim, kjo shpërfaq një hipokrizi të thellë në karakterin e Vjosa Osmanit. Nga njëra anë, ajo shtiret si kampione e luftës politike e diplomatike kundër Serbisë, ekskluzivisht për konsum të brendshëm. Nga ana tjetër, për tu dukur mendjehapur e reformatore në botën e jashtme, ajo paraqitet si ithtare e marrëveshjeve pragmatike me Serbinë.
Fundja, çka mund të presësh nga një grua me bindje të shitura, e cila paraqitet si mbrojtëse e sovranitetit të vendit, e nuk e bën as më të voglin koment kritik për marrëveshjen që i ra thikë mbi baza etnike sistemit energjetik të vendit?
Asgjë fare, pos gatishmërisë për të sakrifikuar çdo gjë, për ulësen e saj, prej të cilës Albin Kurti, sikurse Shpend Ahmetin para saj, do ta hedhë si leckë menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme. Deri atëherë kjo grua do të mbijetojë vetëm falë servilizmit të saj të pështirë. Në fakt, reagime kritike nuk erdhën as nga Memli Krasniqi sepse, sipas të gjitha gjasave, Faton Peci edhe kësaj radhe nuk i dha leje për t’u shprehur në mënyrë kritike në publik.
Ky i fundit sigurisht zotëron vagonë letrash e materialesh të bëmave të Memlave të PDK-së në Ministrinë e Bujqësisë. Prandaj, PDK-ja kolektivisht (me disa përjashtime aty-këtu sa për të thënë), e mbyll gojën për çdo çështje lidhur me veprimtarinë e Ministrisë së Bujqësisë.
Këtu megjithatë ekzistojnë disa çështje më të thella politike.
Para dy a tre ditësh, Miroslav Lajçak, deklaroi se edhe 3 – 4 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë janë të gatshme. Kjo deklaratë përfundimisht dëshmon se Albin Kurti e Bisnik Bislimi kanë zhvilluar biseda sekrete me Petar Petkoviçin e Aleksandër Vuçiçin.
Për negocim të këtyre marrëveshjeve nuk është raportuar as në Kuvend të Kosovës, as nuk është informuar publiku i gjerë. Po ashtu, është e nënkuptueshme, besoj, se këto marrëveshje nuk janë arritur brenda një nate. Për të qenë gati 3 a 4 marrëveshje mes dy vendeve në konflikt të hapur, është dashur një proces i gjatë dhe i mundimshëm negociator, për të cilin askush nuk ka dijeni në Kosovë.
Rrjedhimisht, këtu marrëveshje janë arritur në mënyrë të fshehtë. Sa për t’ua freskuar kujtesën, në negociim sekret me Serbinë ka hyrë pikërisht Albin Kurti, ai që ka premtuar dialog shoqëror me serbët e Kosovës dhe dialog të hapur e llogaridhënës politik me Serbinë. Tek tani po bëhet e qartë se marrëveshja për energjetikë nuk ka qenë vetëm marrëveshje për energjetikë. Në të vërtetë, ajo ka qenë marrëveshje e cila hap udhë për zbatim të marrëveshjeve paraprake dhe lidhjes së marrëveshjeve të reja të pjesshme me Serbinë.
Albin Kurti është arsyetuar se kjo është një marrëveshje e trashëguar, prandaj duhet zbatuar. Me këtë arsyetim, ai ka shtruar terrenin për zbatim të çdo marrëveshje paraprake me Serbinë. Si në çdo ditë të jetës së tij, Albin Kurti gënjeu edhe njëherë. Ai ka trashëguar edhe Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, por nuk e ka zbatuar, sepse nuk ka pasur vullnet politik për ta zbatuar. Pa vullnet politik, nuk ka zbatim të marrëveshjeve të trashëguara. Pra, duke mashtruar paskrupull, ai e ka pranuar një marrëveshje të dëmshme me Serbinë, duke e bartur përgjegjësinë gjëkundi.
Për më shumë, kjo gënjeshtër e mjegullon edhe një fakt tepër të rëndësishëm politik. Në negociatat e drejtuara nga Avdullah Hoti dhe Skënder Hyseni, qëndrimi i prerë i Kosovës ka qenë se çdo marrëveshje paraprake duhet të përfshihet në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila përmban njohjen reciproke.
Pra, çdo çështje e pjesshme e hapur me Serbinë duhet t’i nënshtrohet procesit të njohjes së ndërsjelltë. Sado kritik të jenë llafazanët mendjengushtë të VV-së, kjo ka qenë prej qasjeve më strategjike, largpamëse dhe kombëtare të Qeverisë së Kosovës në dialog me Serbinë.
Sot për sot, ndërkaq, është e qartë se Albin Kurti e Besnik Bislimi janë shmangur këtij parimi, duke pranuar që të negociojnë për targa, energjetikë dhe 4-5 çështje tjera që i dinë vetëm të besuarit e Serbisë në këtë proces.
Me këtë qëndrim, ata i kanë mundësuar Serbisë të fitojë më shumë kompromise, të blejë kohë sa i përket çështjes së Kosovës dhe t’i arrijë edhe shumë marrëveshje të tjera pa pasur presion njohjen e Republikës së Kosovës.
Duke e pasur parasysh këtë kontekst të zhvillimeve në dialog, duket qartë, pra, se gjërat nuk janë thjesht të trashëguara në këto bisedime. Në fakt, ato janë rrjedhojë e një ndryshimi të formatit të dialogut me të cilin kanë rënë në ujdi Besnik Bislimi e Albin Kurti.
Për këtë degradim, ata duhet të mbajnë përgjegjësi dhe duhet menjëherë të fillojë përpjekja opozitare për largim të tyre nga detyrat e tyre zyrtare.
Për çudi, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i del në mbrojtje as këtij qëndrimi tepër dinjitoz të partisë së tij në dialog me Serbinë.
Pse?
Sepse ai është më i ngarkuar më shumë me eliminime të brendshme politike, sesa me fatin e Kosovës në një moment tepër delikat historik.
Për një çështje kaq serioze, ai del në Kuvend dhe citon reperë banalë kosovarë dhe nënqeshet si një fëmijë i llastuar.
Fatkeqësia është se ky fëmijë i llastuar ekziston në një pakt të ngushtë me krimin e organizuar, të cilët ia kanë financuar një pjesë të mirë të fushatës lokale dhe e financojnë ditë për ditë.
Dëshmi?
Hulumto pak disa fotografi që qarkullojnë në rrjete sociale dhe do të keni një fushëpamje më të qartë për çka është fjala.
Si është e mundur që Kosova u katandis në këtë ditë?
Unë nuk do ta kisha besuar kurrë se në betejën vendimtare me Serbinë, Kosova do përfaqësohet prej hakiabazëve e opozita e tyre do jenë disa reperë, staf i rregullt kafenesh dhe rob të bëmave të tyre në dëm të këtij vendi.
Në të vërtetë, pas këtyre 3 – 4 marrëveshjeve të reja, do të jetë më e qartë se deri në ç’shkallë Albin Kurti ka vendosur t’i shërbejë Serbisë. /Albanianpost.com