Garda Revolucionare e Iranit ka arrestuar disa shtetas të huaj për akte të dyshuara spiunazhi, duke përfshirë dhe të dërguarin e dytë më të lartë të Britanisë në Teheran.
Lajmi u konfirmua këtë të mërkurë nga kanali shtetëror iranian, por nuk u dha shumë informacion në lidhje me të arrestuarit.
“Këta spiunë po merrnin mostra dheu në shkretëtirën qendrore të Iranit, ku u kryen stërvitjet e raketave ajrore të Gardës Revolucionare”, tha TV shtetëror.
Televizioni shfaqi pamjet e Giles Whitaker dhe familjes së tij në Iranin qendror ku diplomati britanik dukej se po merrte mostra toke, afër një zone ku po ndodhte një provë raketore.
“Whitaker u dëbua nga zona pasi kërkoi falje”, thuhet në raportin televiziv.
Një nga të arrestuarit u identifikua nga televizioni shtetëror si bashkëshorti i atasheut kulturor të Austrisë në Iran.
Po ashtu u publikuan fotografi të një të huaji të tretë, të identifikuar si Maciej Walczak, profesor universiteti në Poloni për të cilin thuhet se po vizitonte Iranin si turist.
Kujtojmë se Garda Revolucionare elitare e Iranit ka arrestuar dhjetëra persona me dy nënshtetësi apo të huaj në vitet e fundit, kryesisht për spiunazh dhe akuza të lidhura me sigurinë.
Grupet e të drejtave kanë akuzuar Republikën Islamike se po përpiqet të fitojë lëshime nga vendet e tjera përmes arrestimeve me akuza sigurie që mund të jenë të sajuara. Teherani mohon arrestimin e njerëzve për arsye politike.
g.kosovari