Propozimi i Bashkimit Evropian i përpiluar nga Franca në fund të presidencës së saj gjashtë-mujore me bllokun që synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bullgaro-maqedonase ka hasur në kundërshtinë e fuqishme të një pjese të qytetarëve maqedonas, të cilët janë hedhur në protesta të dhunshme. Dhuna është dënuar nga një pjesë e partive dhe përfaqësive diplomatike perëndimore në Shkup. Ndërkohë, propozimit po i jepet përkrahje e gjerë nga komuniteti ndërkombëtar.
Dyzet e shtatë policë janë lënduar të martën në mbrëmje gjatë përleshjes me demonstruesit para ndërtesës së parlamentit, ndërsa 11 prej tyre, sipas Ministrisë së Brendshme, kanë marrë lëndime të rënda dhe janë ndalur për trajtim në spital. 11 protestues janë arrestuar.
Protestuesit hodhën gurë, sende të forta dhe shishe me benzinë kundër parlamentit dhe policisë, ndërsa shkaktuan mjaft dëme materiale.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski duke dënuar sulmin tha se dhuna nuk mund të arsyetohet me asgjë:
“Protestat janë e drejtë demokratike e qytetarëve, por ajo që ndodhi mbrëmë para Parlamentit nuk është fytyra e vërtetë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, vend anëtar i NATO-s”, shkruan ai në Facebook, ndërsa shtoi – mos manipuloni me qytetarët e rinj për të kënaqur oreksin tuaj politik! 27 prilli (i 2017-s kur ndodhën sulmet e dhunshme në parlament me pasojë lëndime të rënda të deputëteve) nuk do të përsëriten”, shkruan ai.
Bashkimi Demokratik për Integrim e dënon dhunën për të cilën thotë se është nxitur dhe realizuar nga elementet pro-ruse në Maqedoninë e Veriut që janë kundër BE-së, NATO-s, kundër fqinjësisë së mirë, paqes, qëndrueshmërisë dhe sigurisë, në përpjekje për ta penguar procesin e integrimit europian që tashmë Republika e Maqedonisë së Veriut është duke e finalizuar, sipas partisë.
Aleanca për Shqiptarët i quan akte vandale protestat e fundit, teksa reagon ndaj gjuhës së urrejtjes dhe fyerjet kundër shqiptarëve. “Bëjme thirrje që institucionet përgjegjëse të kryejnë punën ashtu siç i obligon ligji, të ndalojnë dhe dënojnë këto fenomene dhe autorët e tyre. U bëjmë thirje qytetarëve në përgjithësi që të tregojnë maturi dhe të mos bien pre e provokimeve të këtilla, ndërsa aktorëve politik që të mos bëhen shkak për veprime të cilat rrezikojnë imazhin e shtetit dhe marëdhëniet ndëretnike në vend”, thuhet në një komunikatë të ASH-së.
Në një reagim në Twitter të Ambasadës amerikane në Shkup thuhet se “liria e fjalës nuk mund të jetë pretendim për dhunë kundër atyre që kanë për detyrë mbrojtjen e rendit publik. Dhuna e tillë bie ndesh me vlerat demokratike”, thuhet në reagimin e ambasadës, e cila në këto rrethana nxit nevojën për respekt, përmbajtje dhe përgjegjësi.
Ngjashëm është shprehur edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer.
Një pjesë e analistëve, ndërkohë vlerëson se demonstratat e dhunshme, pas të cilave qëndrojnë partitë nacionaliste VMRO-DPMNE dhe “E Majta”, mund të jenë nxitur nga propaganda ruse, ndërsa synojnë destabilizimin e vendit dhe konfliktin ndëretnik.
Nga ana tjetër, thuajse për çdo ditë zyrtarë të lartë evropianë dhe amerikanë shprehin mbështetje të fuqishme për propozimin që do të mundësonte çeljen e bisedimeve të Shkupit me Brukselin për anëtarësim në BE.
I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin qëndroi të mërkuren në Shkup ku theksoi mbështetjen e qeverisë gjermane për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndmor dhe kjo, sipas tij është në iteres të BE-së dhe rajonit.
“Unë këtë e lexoj si një kompromis të vërtetë ku janë marrë parasysh kërkesat e qeverisë maqedonase”, tha i dërguai i posaçëm gjerman./VOA/m.j